Problemet shëndetësore nuk ia kanë lejuar të luajë me futboll. Muzafer Ejupi, sulmuesi që e nisi këtë sezon me Slaven Belupo, zyrtarisht është tërhequr nga futbolli i luajtur. Shqiptari i Maqedonisë ka pasur probleme me veshkat dhe ka qenë e papërballueshme për të që të luajë sërish në nivele të larta.
“Fizikisht dhe mendërisht jam vërtetë i lodhur. Problemet shëndetësore që po kaloja kanë ndikuar tek unë. Edhe pse falë Zotit gjithçka është nën kontroll, nuk është e mjaftueshme të jem në nivelin e mëparshëm në stërvitje dhe në ndeshje. Në këto gjashtë muaj në klub kam bërë çmos, duke dhënë edhe atomin e fundit timin. Thjesht nuk funksionoi”, tregon Ejupi në deklaratën e dhënë për faqen e klubit kroat.
Falënderimet e sulmuesit janë të shumta: “Shëndeti është ajo që duhet të vlerësojmë në jetë, ndaj e ndjeva që ky ishte momenti kur duhej t’i thosha lamtumirë futbollit. Periudha që kur erdha në Kroaci, me Slaven Belupo dhe NK Osijek, është më e bukura në jetën time dhe do ta kujtoj gjithmonë.
Do të doja të falënderoja të gjithë njerëzit në të dyja këto klube, duke nisur nga presidentët, drejtorët, trajnerët dhe shokët e skuadrës, për ta mbyllur me ekonomistët dhe sanitaret. Me të vërtetë një falënderim i madh për të gjithë. E di që do ju kujtoj gjithmonë pozitivisht secilin prej jush.
Me ose pa futboll, jeta vazhdon. Jam njeri pozitiv dhe mezi pres të nis një faqe të re në jetën time”, përfundon 31-vjeçari, i cili në verën e vitit 2013 provoi të luante me Skënderbeun në Champions Shakhter Karagandy dhe më pas u largua. Në Maqedoninë e Veriut ai është aktivizuar me Vardar, Metalurg, Shkëndijën e Tetovës dhe Turnovo. Ejupi është aktivizuar edhe në Turqi me Kartalspor, si dhe në Tajlandë me Songkhla United. /abcnews.al