Sot, në studion e mëngjesit të ABC, u zhvillua një bisedë kushtuar një thesari të rrallë të identitetit shqiptar: veshjes tradicionale zadrimore, e cila tashmë ka hyrë në rrugën për t’u regjistruar si pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale në UNESCO.
Të ftuarit në studio, Dr. Liza Brunga (arkeologe), Leonora Kodra Prenga (drejtore e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Hejmel”) dhe Zef Vokrrri (ish-kryetar komune dhe aktivist i mbrojtjes së kulturës zadrimore), ndanë me publikun një rrëfim pasionant për ruajtjen, vlerësimin dhe promovimin e këtij simboli të trashëgimisë sonë kombëtare.
Veshja zadrimore mbart në çdo fije të saj historinë e gruas shqiptare, forcën, hijeshinë dhe dinjitetin e saj. Sipas Dr. Liza Brungës, kjo veshje është dëshmi e vijimësisë kulturore ndër shekuj, e punuar me materiale natyrore si liri, mëndafsh, lesh dhe pambuk, që e bëjnë të dallueshme dhe autentike.
“Gratë tona vazhdojnë të ruajnë gjallë kulturën dhe teknikën e punimit në tezgjah, duke trashëguar brez pas brezi mjeshtërinë e dorës dhe të shpirtit,” u shpreh Brunga.
Leonora Kodra Prenga, e veshur kokë e këmbë me veshjen e Zadrimës, tha se “Veshja zadrimore nuk është vetëm një kostum, është një rrëfim. Çdo ngjyrë dhe motiv ka një kuptim. Ne përveç teknikës, ruajmë edhe shpirtin e zonës sonë,” theksoi ajo.
Në mënyrë të veçantë, veshja zadrimore dallohet për ngjyrat e gjalla, motivët gjeometrikë dhe harmoninë e elementeve, që e bëjnë unike mes kostumeve të tjera shqiptare.
Zef Vokrrri, i cili prej vitesh është angazhuar në ruajtjen e kulturës zadrimore, foli për rëndësinë e përpjekjeve komunitare për mbledhjen e materialeve dhe dokumentimin e teknikave të hershme. “Gratë e Zadrimës janë si muze të gjallë. Ato dinë të mbledhin, përpunojnë dhe endin mëndafshin me mënyra që datojnë prej shekujsh. Ky është një mund, por edhe një mrekulli që duhet vlerësuar e mbrojtur,” tha ai.
Në Ditën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, veshja zadrimore u vendos në qendër të vëmendjes, duke u prezantuar si një simbol i identitetit, bukurisë dhe dinjitetit të femrës shqiptare. Procesi për ta çuar këtë pasuri drejt UNESCO-s është një mision krenarie për Zadrimën, por edhe për mbarë Shqipërinë.
“Ky është momenti për të kuptuar se trashëgimia nuk është thjesht e së kaluarës, është pjesë e së ardhmes sonë,” u shpreh Dr. Brunga.
Veshja Zadrimore drejt UNESCO-s, përgatitet dosja 600 faqe me të dhëna të rralla historike e etnografike
schedule10:04 - 23 Tetor, 2025
schedule 10:04 - 23 Tetor, 2025
