Veseli: Vite të vështira, më kanë zhgënjyer shumë njerëz! Uellsi? E bllokojmë

schedule15:32 - 3 Qershor, 2021

schedule 15:32 - 3 Qershor, 2021

Frederic Veseli, mbrojtësi i kombëtares shqiptare, në konferencën e zakonshme për shtyp para miqësores me Uellsin, që zhvillohet më 5 qershor në Kardif. Futbollisti i Salernitana, fillimisht ka deklaruar:

“E kemi parë ndeshjen e Uellsit kundër Francës dhe deri në momentin që morën kartonin e kuq ishin të barabartë me kundërshtarin. Normal është ekip shumë i fortë, janë në Europian dhe kanë kualitet. Nuk mund ta gjykoj lojën, pasi ishin me një më pak ndaj Francës. Para dy vitesh i kemi mundur. Nuk duhen nënvlerësuar, por duhet kujdes sepse janë ekip i fortë”.

“Rivalë skuadra fizike? Edhe ne kemi lojtarë që kanë cilësi fizike. Është detyra jonë t’i bllokojmë të luajnë lojë fizike. Duhet t’u mbyllim hapësirat dhe të mbajmë topin. Do e kundërshtojmë atë mënyrë loje të Uellsit”.

“Rezultati është gjithmonë i rëndësishëm, por ne jemi duke u përgatitur për ndeshjen e shtatorit. Nuk ka miqësore, në çdo ndeshje japim maksimumin. Është një mundësi për të parë formën tonë dhe për të qenë gati 150 për qind për ndeshjet me Hungarinë dhe Poloninë në shtator”.

“Shumë mbrojtës në Serie A? Shqiptarët vlerësohen jashtë, kemi mbrojtës të Serie A, ku futbolli difensiv është më i miri në botë. Secili jep më të mirën për skuadrën, e njohim njëri-tjetrin edhe nga kampionati italian. Duhet harmoni nga të gjitha repartet dhe kjo është punë e trajnerit. Vendos trajneri për modulin, ne jemi në dispozicion të gjithë”.

“E ardhmja? Kam edhe dy vite kontratë me Salernitana. Kam pasur oferta nga Italia dhe jashtë. Jam i përqendruar te ekipi aktual. Jam i kënaqur për rikthimin në Serie A. Besoj se e kam merituar. këto dy vite të vështira që kam kaluar, shumë persona më kanë zhgënjyer.

Gjithsesi me punën time e kam treguar veten. U rikthyem në Serie A pas 23 vitesh. Është arritje e rëndësishme për tifozët, por edhe për mua, pasi kthehem në elitën e futbollit italian për të tretën herë”. / abcnews.al