Veseli optimist, Cikalleshi: Faji i të gjithëve, Turqinë e vumë në siklet!

schedule23:39 - 11 Tetor, 2019

schedule 23:39 - 11 Tetor, 2019

Sokol Cikalleshi analizoi ndeshjen me Turqinë, që Shqipëria e humbi pas një goli të pësuar në fund. “E kishim planifikuar t’i bënim presing lart Turqisë dhe i vumë në vështirësi. Na duhej të fitonim, por nuk ia dolëm. Në fund e pësuam, nuk ka rëndësi kush ka faj. Kemi të gjithë”.

“Rasti i Manajt? Kur mbaron ndeshja mund të gjejmë shumë gjëra për të analizuar. Mund të shënonte, mund të pasonte. Është moment dhe unë e kuptoj. Në të qindtat e sekondës duhet të vendosësh”, deklaroi sulmuesi në Supersport.

VESELI – Mbrojtësi i Empolit tregoi një formë të mirë në fushë dhe pas ndeshjes me Turqinë tha: “Do e shikoj ndeshjen në TV edhe njëherë, për të thënë nëse ishte më e mira për mua. Të gjithë jemi të zhgënjyer nga humbja, jemi mërzitur. Kishim mundësi të fitonim dhe e meritonim. Si grup jemi shumë mirë dhe kjo shihet në fushë, kur ndihmojmë njëri-tjetrin. Kemi lojtarë me kualitet. Kemi gjëra për të përmirësuar, por mund të shohim përpara”.

“Panucci? Nuk di të them. Pavarësisht nga trajneri, atmosfera duhet të jetë e mirë. Nuk mund të them ‘Ah të kishte ardhur më herët Reja’. Ndihemi mirë dhe kjo është ajo që mund të them”, tha Veseli për Supersport. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!