Janë ato skuadra, që kanë patur një nga nisjet më katastrofike të këtij sezoni. Verona e Empoli u përballen me njëra-tjetrën, pasditen e kësaj të shtune, me “Verdheblutë” vendas, që në “Stadio Marc’Antonio Bentegodi” mposhtën me rezultatin 2 me 1, skuadrën e shqiptarëve, Etrit Berisha, Ardian Ismajli e Stiven Shpendi, me këtë të fundit që ishte i vetmi “kuqezi” në fushën e blertë.
Një gol i Milan Djuric në minutën e 3’-të të sfidës, si dhe një gol i “fantazistit”, Cyril Ngonge, në minutën e 56’-të të sfidës i mjaftuan “Verdhebluve” ndaj skuadrës së Empoli, për të cilët golin e vetëm e shënoi polaku, Szymon Zurkoëski, në minutën e 64’-t të ndeshjes, teksa fillimisht u mendua për një përmbysje të madhe, por që nuk u arrit dot.
Falë këtij rezultati, skuadra e Hellas Verona shpëton përkohësisht nga “zona e ftohtë” e rënies nga kategoria, teksa ngjitet në kutoën e 17 pikëve, me 2 pikë para skuadrës së Cagliari, e cila do të luajë ndeshjen e saj, mesditën e së dielës, ndërsa skuadra e Empoli mbetet në vendin e 19-të të tabelës, me 13 pikë. /i.m /abcnews.al