Interi rikthehet në garë për mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla. Trajneri Conte ka shumë shpresë, por për mbrojtësin ka pasur edhe një ofertë nga Bundesliga gjermane.
Pçr momentin duhet të mendojë të marrë veten fizikisht, por vëmendja është gjithashtu tek e ardhmja. Marash Kumbulla pritet që edhe për fare pak ditë të jetë lojtar i Hellas Verona dhe lajmet nga Italia janë që Interi është kthyer në sulm për kartonin e tij.
Trajneri zikaltër, Antonio Conte, pasi siguroi përforcime të rëndësishme si Hachimi, Vidal e Kolarov, e pasi ktheu të huazuarit Perisic e Nainggolan, mendon se ka ardhur koha për qendërmbrojtësin kuqezi. Gjithsesi, Interi nuk mendon se i ka paratë për ta marrë që tani kartonin e 20-vjeçarit.
Verona kërkon 30 milionë euro, ndaj plani është për të arritur një akord tani, për ta lënë edhe një vit futbollistin në ekipin e tanishëm dhe për ta marrë në 2021. Conte nga ana tjetër e di se nuk mund të ketë garanci se gjithçka do të shkojë mirë për të, pasi ekziston konkurrenca.
Lazio dihet mirë se e kërkon Kumbullën, madje në Itali po flasin edhe për Romën. Së fundmi, vjen lajmi se edhe trajneri i Leipzig, Julian Nagelsmann, ka bërë një përpjekje për shqiptarin, duke ofruar diçka më pak se 20 milionë euro. Verona ka kthyer përgjigje negative. Nuk do të jetë çudi që Kumbulla të mbetet tek Verona edhe këtë sezon, pavarësisht se cila skuadër mund ta sigurojë kartonin e tij. /abcnews.al