Venezuelë, Maduro shpall fitoren ndaj grushtit të shtetit

schedule19:12 - 1 Maj, 2019

schedule 19:12 - 1 Maj, 2019

Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro ka shpallur fitoren ndaj grushtit të shtetit të organizuar nga opozita. Maduro ka deklaruar se rivali politik, Huan Guaido dështoi në përpjekjen e së martës dhe se ushtria mban ende anën e tij.

Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro ka deklaruar se e ka mposhtur përpjekjen e liderit të opozitës Huan Guaido për një grusht shteti. Në një fjalim televiziv, Maduro tha se Guaido kishte dështuar në tentativën për të kthyer ushtrinë në anën e tij. I rrethuar nga komandantë të ushtrisë, Maduro akuzoi protestuesit për “krime të rënda”, për të cilat paralajmëroi se nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar. Presidenti i vendit latin shpërtheu sërish në akuza ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat sipas saj po vazhdojnë me komplotet kundër tij. Ai hodhi poshtë zërat e ardhur nga Amerika se ka gati një avion për t’u arratisur në Kubë, një vend që e mbështet atë. Sidoqoftë, ditën e martë një numër i konsiderueshëm efektivësh të Gardës Kombëtare dolën në krah të opozitës në përleshjet që lanë të paktën 1 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur. Huan Guaido insiston se Maduro ka humbur kontrollin e forcave të armatosura dhe ka bërë thirrje për protesta të mëtejshme. Guaido është njohur si lider i përkohshëm i Venezuelës nga më shumë se 50 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe pjesën dërrmuese të shteteve të Amerikës Latine. Uashingtoni zyrtar përsëriti të mërkurën mbështetjen për të, me sekretarin e Shtetit, Majk Pompeo që deklaroi se “ndërhyrja ushtarake është një opsion i mundur” në rast nevoje. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!