Venezuela, shtet fantazmë

schedule21:08 - 26 Mars, 2019

schedule 21:08 - 26 Mars, 2019

Ndërprerja e radhës e energjisë ka bërë që Venezuela të kthehet në një shtet fantazmë, me institucione dhe biznese të mbyllura. Gjithçka ndodh në një kohë tensionesh të acaruara për shkak të pranisë së disa avionëve ushtarakë rusë në vendin latin.

Ndërprerja e dytë e energjisë në Venezuelë ka bërë që në vendin latin institucionet shtetërore, përfshirë ato arsimore, të qëndrojnë të mbyllura. Nga të dhënat e fundit rezulton se mungesa e energjisë i ka lënë rrugët e kryeqytetit Karakas të boshatisura, njerëzit në dëshpërim dhe krizën ekonomike në thellim e sipër.

Qeveria socialiste e presidentit Nikolas Maduro ka fajësuar Shtetet e Bashkuara për situatën, të cilat sipas saj kanë sulmuar rrjetin elektrik të vendit latin. Mungesa e energjisë ka bërë gjithashtu që të mbyllen bizneset, si dhe të paralizohet puna në terminalin kryesor të naftës në Venezuelë.

Ndërprerja e dytë, që nisi ditën e hënë, vjen në një kohë tensionesh të rritura mes Shteteve të Bashkuara, Venezuelës dhe Rusisë, për shkak se dy avionë ushtarakë rusë u ulën në fundjavë në vendin latin. Uashingtoni ka akuzuar Moskën për veprim të papërgjegjshëm që mund të thellojë më tej krizën politike në vendin e raskapitur.

Si për t’i bërë kontrast pranisë ruse në Venezuelë, bashkëshortja e liderit të opozitës Huan Guaido do të vizitojë të mërkurën Shtëpinë e Bardhë, ku do të pritet nga zëvendës presidenti amerikan Majk Pens. Pens pritet të ritheksojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Guaido, i cili në janar citoi Kushtetutën për t’u vetëshpallur lider i përkohshëm i vendit, me argumentin se rizgjedhja e Maduros në vitin 2018 kishte qenë e parregullt./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!