Venezuela dëbon ambasadorin gjerman

schedule22:59 - 6 Mars, 2019

schedule 22:59 - 6 Mars, 2019

Regjimi në Venezuelë do të dëbojë nga vendi ambasadorin e Gjermanisë, për ndërhyrje në punët e brendshme. Sipas qeverisë së presidentit Nikolas Maduro, diplomati gjerman është rreshtuar në linjën komplotiste të liderit të opozitës Huan Guaido.

Qeveria në Venezuelë ka vendosur të dëbojë nga vendi ambasadorin gjerman Daniel Kriner, për ndërhyrje në punët e brendshme. Kriner, i shpallur tashmë “person non grata”, ishte mes një grupi diplomatësh që ndihmuan liderin e opozitës Huan Guaido të kthehej në Venezuelë dhe u takua me të në aeroportin e Karakasit. Guaido kishte sfiduar një urdhër ndalimi të dhënë nga Gjykata Supreme e Venezuelës dhe pritej që të arrestohej. Por me të mbërritur në aeroportin e Karakasit ditën e hënën, ai kaloi lirshëm perimetrin e sigurisë dhe u prit nga një grup diplomatësh, të cilët dhe e shoqëruan jashtë godinës së aeroportit.

Më herët, zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara, vendet e Bashkimit Europian dhe Amerikës Latine kishin paralajmëruar qeverinë venezueliane që të mos e arrestonte liderin e opozitës, i vetëshpallur president i përkohshëm. Ambasadorit Kriener i janë dhënë 48 orë për t’u larguar nga vendi. Ministria e Jashtme venezueliane deklaroi se nuk do të pranojë asnjë diplomat të huaj që vepron në të njëjtën linjë me agjendën komplotiste të ekstremistëve të opozitës.

Në dy vitet e fundit qeveria e vendit latin ka dëbuar nga vendi diplomatin më të lartë të Shteteve të Bashkuara, si dhe ata nga Brazili dhe Kanadaja. Qeveria e presidentit Nikolas Maduro po izolohet gjithnjë e më shumë dhe vende të ndryshme të botës e fajsojnë atë për krizën ekonomike që ka përfshirë vendin e pasur me naftë e që ka detyruar mbi 3 milionë banorë të emigrojnë në vendet fqinje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!