Verona është një nga surprizat më të bukura të këtij sezoni në Serie A. 15 pikë numëron ekipi ku aktivizohen Marash Kumbulla dhe Amir Rrahmani pas javës së 11-të. Verona renditet në vend të nëntë, është 8 pikë mbi zonën e ftohtë dhe bashkë me Juventusin kryesues ka mbrojtjen më të mirë deri tani (vetëm 9 gola të pësuar).
Meritë të madhe kanë dy lojtarët shqiptarë, të cilët po provojnë për herë të parë emocionet e futbollit italian. Verona mposhti sot në shtëpi Brescian me rezultatin 2-1. Kumbulla ishte i pafat dhe u detyrua të linte lojën në minutën e 16-të për shkak të një dëmtimi muskulor, ndërsa Rrahmani luajti gjatë gjithë ndeshjes.
Tuttomercatoweb ka publikuar notat e lojtarëve dhe nuk mungojnë elozhet për kapitenin e Kosovës. Kumbulla luajti shumë pak për t’u vlerësuar saktësisht, ndërsa Rrahmani luftoi fort për të mbajtur portën e paprekur.
“Pëson një goditje të fortë në mesin e pjesës së parë, por shtrëngon dhëmbët dhe mbyll një tjetër performancë pozitive. Vendimtar për fitoren me shpëtimin në vijën fatale kundrejt Bisolit në pjesën e parë“, lexohet në komentin për mbrojtësin dardan. /abcnews.al