Vendimi i Gjykatës së Lartë në Kaliforni nxit qasje të re ndaj të pastrehëve

schedule08:24 - 23 Shtator, 2024

schedule 08:24 - 23 Shtator, 2024

Një vendim i Gjykatës së Lartë në muajin qershor e bën më të lehtë për komunitetet, në të gjitha shtetet amerikane, të gjobisin dhe arrestojnë njerëzit që jetojnë dhe flenë në hapësira publike.

Ky vendim i ka lënë shumë prej qindra mijëra njerëzve të pastrehë të Amerikës në një situatë të vështirë. Kronika në vijim është përgatitur nga korrespondentja e Zërit të Amerikës Angelina Bagdasaryan, në Kaliforni, shtetin me numrin më të madh të të pastrehëve në Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët në Los Anxhelos kanë filluar të pastrojnë kampet me tenda pas një vendimi të Gjykatës së Lartë që u lejon komuniteteve të ndalojnë njerëzit të flenë ose të jetojnë në hapësira publike, edhe nëse nuk kanë ku të shkojnë tjetër.

Të dhënat zyrtare thonë se 650 mijë njerëz në Amerikë janë të pastrehë. Sheridan, i cili nuk e dha mbiemrin e tij, është një prej tyre.

“Kjo që po ndodh është një luftë kundër të pastrehëve!”, thotë ai.

Ai shkoi në Kaliforni nga shteti Uajoming, por shton se ëndrrat e tij nuk u realizuan. Ai mbeti pa shtëpi, por nuk donte të jetonte në një strehë. Ai ka jetuar në rrugë për pesë vitet e fundit.

“Arsyeja që nuk kam shkuar në një strehimore është sepse kam ankesa ndaj qytetit dhe qarkut. Ata e dinë se njerëzit që ofrojnë ndihmë nuk po përpiqen vërtet të të ndihmojnë. Gjithçka që ata po bëjnë është të ndihmojnë karrierat e tyre politike”.

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom nënshkroi një urdhër ekzekutiv që lejon zyrtarët shtetërorë dhe lokalë të çmontojnë kampet e të pastrehëve. Ai thotë se qëllimi i tij është të ndihmojë njerëzit që nuk mund të ndihmojnë veten.

“Nuk bëhet fjalë për kriminalizim. Ajo që është kriminale është neglizhimi i njerëzve që po luftojnë, vuajnë dhe vdesin nën kujdesin tonë. Ajo që është kriminale është se njerëzit nuk kanë tualete. Janë kriminelët që po e vënë jetën e tyre në rrezik, çdo natë. Njerëzit po vdesin, po vriten me thikë!”, thotë zoti Newsom.

Në gusht Guvernatori Newsom nënshkroi dy projektligje për të zgjidhur problemin. Njëri e bën më të lehtë dërgimin e atyre që nuk kanë një vend për të jetuar, për në banesa të përkohshme, për një periudhë mbi një muaj. Tjetri e bën më të lehtë ndërtimin e banesave shtesë me kosto të përballueshme, në tërë Kaliforninë.

Por disa ekspertë juridikë thonë se masat nuk janë të mjaftueshme.

“… nuk ka mjaft njësi banimi me kosto të përballueshme, nuk ka hapësira të mjaftueshme strehimi, njerëzit nuk kanë ku të shkojnë!”, thotë Sunita Patel nga Fakulteti Juridik në Universitetin e Kalifornisë të Los Anxhelos-it.

Sipas të dhënave që janë mbledhur në bazë të një kërkese federale, më shumë se 75,000 njerëz janë të pastrehë vetëm në qarkun e Los Anxhelos-it.

Dash, i cili gjithashtu nuk pranoi të jepte mbiemrin e tij, thotë se problemi prek edhe njerëz si ai që jetojnë dhe punojnë në qytet.

“Është një çështje e ndërlikuar. Unë kam patur rast kur jam sulmuar nga të pastrehët. Jam detyruar të thërras policinë…”, thotë ai.

Ndërsa vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë e bën më të lehtë për komunitetet që të largojnë njerëzit e pastrehë nga rrugët e qytetit… çështja komplekse nuk është zgjidhur ende. /voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!