Vendimi historik: Ajri i ndotur pranohet si shkak vdekjeje nga gjykata britanike

schedule15:26 - 16 Dhjetor, 2020

schedule 15:26 - 16 Dhjetor, 2020

Drejtësia britanike për herë të parë ka pranuar rolin e ndotjes së ajrit tek një vdekje, duke dhënë një vendim sipas të cilit ndotja e ajrit ishte një kontribut material për vdekjen e një fëmije 9 vjeçare në Londër. Gjykatësi u shpreh se vdekja e Ela Kisi – Debrah në shkurt të 2013-ës u shkaktua nga problemet në frymëmarrje, astma dhe ekspozimi ndaj ndotjes atmosferike.

Fëmija ishte ekspozuar ndaj ndotjes nga dioksidi i azotit, që kalonte kufijtë e vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, dhe që shkaktohet nga trafiku i automjeteve. Gjykatësi deklaroi se mos reduktimi i niveleve të ndotjes në kufijtë e lejuar mund të ketë kontribuar në vdekjen e vogëlushes, por dhe mos dhënia e informacioneve të duhura nënës së saj për pasojat e ndotjes së ajrit në astmë. Gjykatësi tha se fëmija kishte jetuar pranë rrugëve me shumë trafik dhe ku ndotja e ajrit ishte e lartë.

Vendimi është i pari i këtij lloji në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka shumë mundësi të shtojë presionin ndaj qeverisë që të çojë në nivelet e duhura smogun në vend. Nëna e vogëlushes një ish mësuese ka vite që lufton për të ekzaminuar vdekjen e së bijës nga një mjek i dytë ligjor. Këmbëngulja e saj u shpërblye në momentin që gjykatësi ra dakord me provat e dorëzuara nga familja sipas të cilave forma e veçantë e astmës akute nga e cila vuante vogëlushja, u rëndua si pasojë e ajrit të ndotur.

Avokatët e saj u shprehën se ndotja e ajrit është një emergjencë shëndetësore publike dhe se është e domosdoshme dhe urgjente që të regjistrohet si shkak vdekjeje; në mënyrë që në të ardhmen programet për shëndetin publik të jenë prioritet.

Ela jetonte me familjen e saj me origjinë afrikane, në juglindje të Londrës, 30 metra larg një rruge me shumë trafik. Ajo ndërroi jetë pasi ishte shtruar në spital 27 herë brenda 3 vitesh./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!