Vendimet e qeverisë: Ndalohet përdorimi i administratës në fushatë

schedule22:56 - 10 Maj, 2019

schedule 22:56 - 10 Maj, 2019

Qeveria  ka marrë sot dy vendime të rëndësishme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve vendore.

Përmes njërit  prej tyre Këshilli i Ministrave ndalon përkohësisht njësitë e qeverisjes vendore dhe autoritetet kontraktore në varesi të tyre, të fillojnë procedura të prokurimeve publike për periudhën 1 deri 30 qershor 2019.

Nga ky pezullim i përkohshëm përjashtohen prokurimet me vlerë të vogël dhe procedurat e prokurimit që kanë si objekt produktet ushqimore.

Ndërsa në vendimin tjetër qeveria parashikon marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor.

Për këtë monitorim do të ngrihet një task- forcë e cila do të drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje: Ministrin e Brendshëm; Ministrin e Mbrojtjes; Ministrin e Financave dhe Ekonomisë; Ministrin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë; Ministrin e Drejtësisë; Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin; Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave; si dhe disa drejtorë drejtorish e institucionesh të tjera.

Të tilla vendime në prag të zgjedhjeve qeveria mori edhe 2 vjet më parë, para zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2017./ABC News Albania 24/7