Vendi në “pushtetin” e zjarreve, Peleshi: Aktualisht 8 vatra aktive, situata më kritike në Karaburun e Përmet

schedule20:54 - 31 Korrik, 2021

schedule 20:54 - 31 Korrik, 2021

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka reaguar mbrëmjen e së shtunës për zjarret që kanë “pushtuar” vendin. Në një postim në Facebook, Peleshi bën të ditur se aktualisht janë 8 vatra aktive ndërsa shton se strukturat përkatëse po punojnë për neutralizimin e tyre.

Sipas ministrit, situata më kritike paraqitet në Karaburun, Shijak, Përmet e Fier. Peleshi u bën thirrje banorëve në zonat e përfshira që të tregohen të kujdesshëm dhe të bashkëpunojnë me strukturat shtetërore.

POSTIMI I PELESHIT

“Aktualisht në vend kemi 8 vatra zjarri aktive, të gjitha strukturat shtetërore të emergjencave civile në zonat përkatëse, po punojnë intensivisht për neutralizimin e tyre. Në zonat ku situata paraqitet më kritike, janë angazhuar mjetet dhe trupat e Forcave të Armatosura, të tilla janë rastet e Karaburunit, Shijakut, Përmetit, Fierit etj. Pjesa tjetër e Forcave të Armatosura është në gatishmëri të plotë për situata të mundshme në orët/ditët në vazhdim.

Nga ana tjetër i bej thirrje komunitetit të jetë i kujdesshëm në zonat ku për shkak të thatësirës paraqitet rrezik i lartë zjarri, gjithashtu i ftoj ata të bashkëpunojnë me strukturat shtetërorë për njoftimin në kohë të situatave apo denoncimin/evidentimin e keqbërësve të qëllimshëm.”  s.b/abcnews.al/