Vendet e rajonit modifikojnë buxhetet për shkak të pandemisë: Shqipëria dhe Kosova në mes

schedule10:59 - 19 Qershor, 2020

schedule 10:59 - 19 Qershor, 2020

Kroacia dhe Serbia janë dy vendet e rajonit, që kanë futur më shumë se 6 përqind të prodhimit të përgjithshëm bruto në paketat emergjente për qytetarët dhe bizneset.

Shqipëria dhe Kosova kanë future mbi 2 përqind të GDP-së në paketa emergjente, të cilat kanë një fokus të veçantë tek bizneset e vogla.

Të gjitha vendet e rajonit, përfshi Shqipërinë janë detyruar të modifikojnë buxhetet e tyre për shkak të pandemisë.

Por paratë e futura në qarkullim, nga buxheti i shtetit, për të lehtësuar barrën e Covid-19, humbjen e vendeve të punës dhe rrënimin, kryesisht të bizneseve të vogla, nuk kanë qenë njësoj.

Kroacia dhe Serbia janë dy vendet e rajonit, që kanë futur më shumë se 6 përqind të prodhimit të përgjithshëm bruto në paketat emergjente për qytetarët dhe bizneset.

Të dyja vendet janë edhe në prag të zgjedhjeve, Serbia këtë të diel dhe Kroacia më 5 korrik, dhe qeveritë respektive kanë qenë të kujdesshme për të ruajtur nivelin e mbështetjes tek qytetarët.

Sllovenia me pothuaj 6 përqind të GDP-së për paketat e emergjencës ka investuar gjithashtu për të ulur impaktin e pandemisë tek qytetarët e vet.

Shqipëria dhe Kosova renditen menjëherë pas Sllovenisë me mbi 2 përqind të GDP-së në paketa emergjente, të cilat kanë një fokus të veçantë tek bizneset e vogla, të cilat vuajtën peshën më të madhe të pandemisë.

Bosnjë-Hercegovina ka shifrën më të ulët të parave të buxhetit të futura në skemën për lehtësimin e barrës së pandemisë, ndërkohë që Mali i Zi dhe Maqedonia janë nën 2 përqind, ndërsa Greqia, pak mbi 1 përqind të prodhimit të përgjithshëm bruto.

Sipas një studimi të Institutit Demokratik të Kosovës, KDI, gjithë rajoni ka investuar 2.8 përqind të prodhimit të përgjithshëm bruto në paketat e emergjencës.

Kosova po vazhdon zbatimin e masave për të ndihmuar bizneset dhe punëtorët, dhe nga  12 qershori deri më 17 qershor, kishte bërë pagesat për rreth 10,668 qytetarë.

Pagesat janë ekzekutuar për 3 masa, mbulimin e shpenzimeve të pagave mujore të punëtorëve në shumën prej 170 eurosh; shtesa për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave, dhe farmacive në shumën prej 100 eurosh; pagesën e punëtorëve të cilët kanë humbur vendin e punës për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik në vlerë prej 130 eurosh dhe nga 130 euro për punëtorët e regjistruar për dy muajt, pasues për shoqëritë tregtare, që regjistrojnë punëtorët me kontratë pune së paku 1 vjeçare, gjatë situatës së pandemisë.

Fondi i rimëkëmbjes ekonomike i miratuar nga qeveria Hoti është mbi 600 milionë euro.

Me këtë rishikim të buxhetit janë mobilizuar 600 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave prej 232 milionë euro si pasojë e pandemisë dhe gjithashtu për të krijuar Fondin për rimëkëmbje ekonomike në shumë prej 385 milionë eurosh. Ky fond e kompenson plotësisht rënien ekonomike që kemi pasur gjatë kësaj kohe për shkak të pandemisë”.

Ndërkohë, qeveria Shqiptare ka vendosur në dispozicion përmes Akteve Normative dhe Vendimeve të Këshillit të Ministrave dy paketa financiare për mbështetjen sociale për qytetarët dhe bizneset; buxhet shtesë për sektorin e shëndetësisë; buxhet shtesë për sektorin e mbrojtjes për punën e tyre humanitare; shtesë në Fondin Rezervë për shpenzime të tjera të nevojshme dhe të paparashikuara.

E para parashikon pagën e luftës prej 26 mijë lekësh për punëtorët e bizneseve që u mbyllën dhe 100 milion dollarë garanci sovrane për bizneset që nuk kishin mundësi të paguan punonjësit.

Paketa e dytë përfshin një pagë prej 40 mijë lekësh për punonjësit dhe një garanci sovrane prej 150 million dollarësh për bizneset, kryesisht fasoneri dhe turizëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!