Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u prit në një takim zyrtar nga kryetari i Bashkisë së Bolonjas, Virginio Merola për të diskutuar mbi thellimin e bashkëpunimit mes dy bashkive në lidhje me transportin urban, agrobiznesin, agroturizmin dhe disa sektorë të tjerë të rëndësishëm.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një vizitë pune në Bolonja të Italisë i cili u prit nga homologu i tij, Virginio Merola. Gjatë takimit të Veliajt me Merolan u diskutua për mundësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve për transportin publik, si dhe për projektet e zhvillimit urban dhe mjedisin.
Një vëmendje të veçantë në takimin e Veliajt me kryebashkiakun e Bolonjas kishte edhe diskutimi mbi projektet e Bashkisë së Tiranës për menaxhimin me efikasitet të Terminaleve të Autobusëve Ndërqytetas, çka do të sillte lehtësi për udhëtarët.
Veliaj dhe Merola shprehën vullnetin për rritur më tej projektet e përbashkëta në fushën e agrobiznesit dhe agroturizmit, për të fuqizuar edhe më shumë këto dy sektorë. Në fund të takimit me kryebashkiakun e Bolonjës, Erion Veliaj nënshkroi edhe tek “Libri i të ftuarve të Nderit” të Bashkisë së Bolonjës. /abcnews.al