Veliaj takon të rinjtë që morën çmimin e dytë në Olimpiadën e Robotikës në Meksikë

schedule17:00 - 17 Korrik, 2019

schedule 17:00 - 17 Korrik, 2019


Një grup të rinjsh shqiptarë, të moshës 14-18 vjeç, u vlerësuan me çmimin e dytë në Olimpiadën e Robotikës në Meksikë. Ata u pritën në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i përgëzoi për suksesin e arritur dhe shprehu mbështetjen që bashkia do t’u japë të gjithë të rinjve dhe të rejave që duan të çojnë përpara idetë e tyre në fushën e teknologjisë.

“Jam shumë krenar për çunat e gocat tanë, si grupi që do të vazhdojë të konkurrojë në Olimpiadën Botërore të Robotikës. Do të thotë që vendi nuk ka nevojë të jetë super i zhvilluar, kur ka djem e vajza me talent, me kreativitet, që kanë një mentor, por edhe sponsor që mund t’i ndihmojnë në hapat e tyre të para, mund të zënë vendet e para, të dyta, të treta; pra, mund të jenë liderë në grupmoshën e tyre, kur vjen puna për teknologji, robotikë, mekatronikë apo gjithë ajo industri që ne e quajmë ‘maker-space’, pra të bësh diçka me dijen dhe duart e tua”, tha Veliaj.

Këta të rinj janë arsyeja pse Bashkia e Tiranës ka vendosur që ta kthejë Piramidën në qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit në Ballkan. “Mezi pres që së bashku të punojmë si partnerë në Piramidën e Tiranës dhe në gjithë hapësirat fantastike që duam të krijojmë për mijëra djem e vajza, ku të kenë mundësi të marrin kurse, të kenë një mentor që mund t’i aftësojë për dijet teknologjike dhe mbi të gjitha, për të pasur edhe vizitorë specialë si roboti Peper, i cili jo vetëm të vizitojë Tiranën, por të kemi mundësi të prodhojmë prototipe të Peperit edhe në Tiranë, në mënyrë që të sigurohemi se qyteti ynë të jetë qyteti më i përparuar në Ballkan për teknologjinë e informacionit”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj, i cili shtoi se Piramida do të shndërrohet në një ‘çerdhe’ e cila do të fuqizojë talentet e fushës.

“Mezi pres që Bashkia e Tiranës, së bashku me miq si Vodafone dhe partnerë të tjerë si Fondi Shqiptaro-Amerikan, të krijojë një çerdhe, një hapësirë, e cila të fuqizojë talentet e reja dhe të na bëjë të ndihemi krenarë që djem e vajza, që ndoshta nuk kanë mbiemra të njohur, ndoshta nuk vijnë nga dyer te mëdha, por që kanë zell, kanë talent dhe kanë pasion për të bërë gjëra në fushën e teknologjisë, por ne të kemi mundësinë që t’i mbështesim”, siguroi Veliaj.

Përfaqësuesja e Vodafone, Agar Perez, vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës në fushën e teknologjisë dhe siguroi se kjo mbështetje do të vijojë. “Si Vodafone, jemi shumë të lumtur t’ju mbështesim në projektin e Piramidës. Mendoj se është shumë e rëndësishme promovimi i teknologjisë dhe inovacionit, për të ndihmuar brezin e ri të punojë me teknologjinë. Teknologjia na vjen në ndihmë, por njerëzit janë shumë të rëndësishëm dhe duhet të përfshijmë si të rinjtë, njerëzit e biznesit, sa i përket promovimit të inovacionit. Shumë faleminderit për mbështetjen tuaj. Jemi këtu për të vazhduar t’ju mundësojmë zgjidhjet e duhura në fushën e inovacionit”, tha Agar Perez.

Në garën Olimpike 2018 që u zhvillua në Meksikë, Team Albania u rendit mes vendeve fituese, me çmimin e dytë “Katherine Johnson” për dokumentimin inxhinierik. Team Albania pritet të ngrejë për herë të tretë flamurin shqiptar në Dubai, ku do të mbahen garat e këtij viti në datat 24-27 Tetor 2019.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!