Veliaj takon homologun vienez: Bashkëpunim në disa fusha

schedule15:47 - 29 Janar, 2019

schedule 15:47 - 29 Janar, 2019

Transporti publik, aktivitetet kulturore, por dhe projektet për fëmijët, do të jenë në fokus të bashkëpunimit mes Tiranës dhe Vienës. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj takoi homologun vienez, gjatë një vizitë në kryeqytetin austriak.

Tirana do të bashkëpunojë me Vienën në fusha si ekonomia, transporti apo aktivitetet kulturore e artistike. Kryebashkiaku Erion Veliaj  bisedoi me homologun vienez gjatë një vizite që zhvilloi në kryeqytetin austriak. Veliaj ishte i ftuar ne edicionin e 16-të Kongresit të Vjenës me temë “Shaping the Future”.

 “Jam shumë i lumtur sot që jemi në Vienë dhe për mikpritjen e mikut tonë, kryetarit të ri të Bashkisë së Vienës. Me këtë qytet kemi pasur një marrëdhënie të shkëlqyer, po ashtu edhe një vit kulturor midis Tiranës edhe Vienës, të cilin duam ta përforcojmë. Besoj se mund të bëjmë shumë bashkë. Viena është kryeqyteti i Austrisë, por është edhe kryeqyteti i Ballkanit. Shumë prej rrugëve tona, si ato ekonomike, si ato politike, kalojnë nga Viena, por unë besoj gjithmonë e më shumë se qytetet po zënë një rëndësi të veçantë ndaj do të vazhdojmë bashkëpunimin kur vjen puna te çështjet që kanë të bëjnë me urbanizimin e qyteteve dhe transportit publik”.

“Tirana duhet të jetë krenare që ka një kryetar kaq të ri dhe energjik. Patëm mundësinë të diskutojmë shumë projekte të përbashkëta midis dy qyteteve tona, projekte që do të lidhin në të ardhmen Vienën dhe Tiranën në fushën e ekonomisë, politikave vendore, por edhe ato artistike. Janë të shumtë  personat të cilët lidhin vendet tona. Jemi shumë krenarë që edhe shumë artistë shqiptarë janë të angazhuar dhe kanë aktivitetin e tyre në Vienë. Kjo tregon se kemi tashmë marrëdhënie mjaft të mira, të cilat duhet t’i çojmë përpara për të përballuar sfida të mëdha në rrugën europiane”.

Veliaj e ftoi kryebashkiakun e Vienës të  vizitojë Tiranën në pranverë, ku dhe pritet të nënshkruhet një marrëveshje për planet e bashkëpunimit mes dy qyteteve. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!