Veliaj pret homologun maqedonas, Petre Shilego

schedule22:33 - 21 Shkurt, 2019

schedule 22:33 - 21 Shkurt, 2019

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti sot në një takim homologun e tij, kryebashkiakun e Shkupit, Petre Shilegov, me të cilin diskutoi mbi forcimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimin e eksperiencave pozitive për qytetarët e të dy qyteteve. Në shenjë miqësie, Veliaj i dorëzoi homologut maqedonas “Kullën e Sahatit”.

Pas takimit, Veliaj tha se Tirana dhe Shkupi kanë potencial për të ecur së bashku dhe për të mësuar nga modelet e suksesshme prej njëri-tjetrit. “Jam shumë i lumtur që si Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut, po ecim bashkë në rrugën e integrimit në BE dhe në NATO. Besoj se edhe qytetet tona, Tirana dhe Shkupi mund të ecin bashkë dhe besoj se ka shumë gjëra për të mësuar”, tha Veliaj, teksa bëri me dije edhe disa nga fushat konkrete të bashkëpunimit mes dy qyteteve.

Homologu i tij maqedonas, Petre Shilegov vlerësoi transformimin e pandalshëm të Tiranës dhe shprehu mbështetjen për të çuar përpara bashkëpunimin me kryebashkiakun Veliaj edhe në mandatin e dytë. “Është kënaqësi të jem sërish këtu në Tiranë, së bashku me mikun tim, dhe për ta përgëzuar atë për ndryshimet e qytetit vitin e fundit, si edhe për t’ju mbështetur për zgjedhjet vendore që janë këtë vit, për të cilat unë jam i bindur që ju do të fitoni. Jemi sot këtu për të ndarë eksperiencat tona, atë çfarë ju keni këtu dhe atë çfarë ne kemi në Shkup, e cila është një mundësi e mirë për mua që të shkëmbyer së bashku eksperiencat. Doja t’ju përgëzoja për punën e shkëlqyer që jeni duke bërë”, tha Shilegov.

Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se Shkupi dhe Tirana janë histori suksesi të skuadrave që punojnë dhe shprehu bindjen se ky është fillimi i një miqësie të gjatë mes dy qyteteve. “Ne mund të kemi opinione të ndryshme, mund të kemi bindje të ndryshme, fe të ndryshme, etni të ndryshme, ama kur punojmë për gjërat që na bashkojnë, mund të prodhojmë histori suksesi si Shkupi dhe Tirana. Jam i bindur se ky është fillimi i një miqësie të gjatë mes dy qyteteve”, deklaroi ai.

Veliaj përgëzoi edhe skuadrën multietnike të Bashkisë së Shkupit, e cila përfaqëson edhe realitetin e ri të një qyteti perëndimor. Ai theksoi se pavarësisht një vale populizmi kudo në Europë, historia e bashkëjetesës, e harmonisë dhe e njerëzve që punojnë bashkë është ende një histori fituese. “Jam shumë i lumtur që takova edhe skuadrën, një skuadër mikse, një skuadër multietnike, e cila përfaqëson realitetin e Shkupit modern dhe perëndimor. Ashtu siç tha Petre, që sot në një valë populizmi kudo në Europë, historia e bashkëjetesës, e harmonisë, e njerëzve që punojnë bashkë është ende një histori fituese. Ka sot shumë rryma, jo vetëm në Europë, por edhe në Maqedoni, edhe në Shqipëri, ka ende kufoma të të kaluarave tona të hidhura të cilët mundohen të rrinë gjallë dhe të fusin përçarje, të na kujtojnë për gjërat që na ndajnë, jo për gjërat që na bashkojnë”, deklaroi ai.

Takimi i sotëm do të pasohet me një vizitë të rëndësishme në fillim të Marsit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në Shkup

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!