Veliaj mirëpret demokratët që i bashkohen PS: Partia Socialiste është shtëpia më e madhe e shqiptarëve sepse nuk i braktis kurrë

schedule19:14 - 6 Maj, 2023

schedule 19:14 - 6 Maj, 2023

Edhe gjatë takimit me banorët e zonës së Bulevardit të Ri, Erion Veliaj mirëpriti demokratët që iu bashkuan Partisë Socialiste. Ai tha se gjithnjë e më shumë kryeqytetas po e kuptojnë se familja socialiste është shtëpia më e madhe e shqiptarëve.

“Jemi një skuadër që shtohemi, duke ftuar njeri-tjetrin që të na bashkohet në shtëpinë tonë, që shtëpia të bëhet më e madhe dhe që bashkë të ndajmë barrën e këtyre punëve. Shikoni pak shtëpinë tjetër, që funksionojnë si Big Brother. Por, ne të majtët themi: “Kush po hyn në shtëpinë tonë”. Ata kanë merak vetëm kë po nxjerrin nga shtëpia. Nxorrën Lulin, nxorrën Alibeajn, nxorrën Majlindën [Bregu]. Ata specializohen për të nxjerrë njerëzit e tyre nga shtëpia, ne përpiqemi si ta shtojmë shtëpinë tonë të përbashkët. Kur them këtë dhe kur e ilustroj me këto 4 histori, kam parasysh të gjithë ata që sot që unë i takova teksa po vija këtu, një pjesë na janë bashkuar dhe kanë hyrë në këtë shtëpi, që është shtëpia më e madhe, më patriotike, më profesioniste,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se dera e socialistëve do të jetë gjithmonë e hapur dhe se kjo është forca që nuk i braktis kurrë qytetarët.

“Kush ka ardhur këtu sot nga PD-ja, nga ish-LSI-ja, apo nga çdo forcë tjetër, dhe ka gjetur tek PS-ja shtëpinë e madhe që nuk i tradhton kurrë, që nuk i braktis kurrë, që nuk i lë punët përgjysmë, unë iu them: Mirë se erdhët në shtëpinë tonë! Është edhe shtëpia juaj! Fakti që kjo është një shtëpi e hapur dhe fakti që kjo shtëpi nuk i braktis kurrë njerëzit, ka bërë që edhe shumë demokratë dhe shumë aktivistë të partive të tjera të bashkohen me një shtëpi që nuk i lë gjërat në gjysmë, që nuk i lë punët në mes, që nuk e braktis detyrën,” u shpreh Veliaj.

Edhe ministrja Ogerta Manastirliu tha se kryeqyeti ka arsye të krenohet sot, sepse kartëvizita e një kryebashkiaku si Erion Veliaj është Tirana e 2023-shit. “Ne, sot jemi krenarë për Erionin, ndaj e mbështesim me zemër atë. E mbështesim me zemër sepse Erioni sot ka një kartëvizitë shumë të mirë dhe është krenar dhe ju sheh në sy të gjithëve: Ka Tiranën e 2023-shit. Kjo është kartëvizita e Erion Veliajt. Prandaj, Erion Veliaj ka sot kreditet e mëdha dhe del përpara jush për të kërkuar mbështetjen tuaj për të vijuar punët, për transformimin e Tiranës sonë,” deklaroi ministrja.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!