Veliaj me krerët e besimeve fetare dhe trupin diplomatik: Tirana po jeton ditët e saj më të mira

schedule14:21 - 15 Dhjetor, 2023

schedule 14:21 - 15 Dhjetor, 2023

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mblodhi dje në një darkë krerët e besimeve fetare, diplomatë dhe njerëz të shquar të fushave të artit, kulturës e politikës, për t’i uruar gëzuar festat.

Ai u shpreh mirënjohës për të gjithë ata që tregohen solidarë në Tiranë, sidomos ndaj përfaqësuesve të besimeve, të cilët me harmoninë fetare e bëjnë Shqipërinë një vend unik në botë.

“Dua të falenderoj të gjithë krerët e komuniteteve të besimit, jo vetëm komunitetet e krishtera, por edhe ata të besimeve të tjera që janë këtu me ne sot, si dhe anëtarët e trupit diplomatic, të cilët janë rezidentë të përkohshëm të qytetit tonë, por që shpesh lënë gjurmë të përhershme. Secili prej nesh këtu është thirrur të shërbejë e nuk i ka zgjedhur vetë të ngjashmit e tij sepse është caktuar nga kombi i tij dhe nga anëtarët e besimit. Në këtë histori ne jemi vëllezër dhe motra që ndajmë një qytet, një mision, për ta çuar këtë vend dhe marrëdhëniet mes vendeve tona përpara, e sidomos për ata që na drejtojnë në besim, për të inkurajuar e mëtuar çdo ditë një vëllazëri më të madhe mes nesh. Një vëllazëri më të madhe në një botë që nuk është bota që kishim ëndërruar, në një botë që ka luftë, siç është lufta në Ukrainë, në një botë që ka akte të paimagjinueshme, të dhimbshme siç ishin aktet e terrorizmit në Izrael dhe lufta e përgjakshme që po zhvillohet sot në Gaza. Unë besoj fort se më shumë se çdo herë duhet ta kultivojmë vëllazërinë që ne kemi këtu, ta forcojmë çdo ditë në çdo cep të qytetit tonë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku solli shembullin e suksesit të Tiranës së transformuar, për të cilën çelësi, sipas tij, është të punuarit bashkë për të njëjtin mision, për të çuar gjërat përpara. “Sot jam vërtet krenar për atë që kemi arritur në Tiranë. Kemi festuar 111 vitet e Pavarësisë dhe duhet ta se po jetojmë ditët tona më të mira. Jo ditët perfekte, të cilat ndoshta do i kemi përpara, por janë sot ditët tona më të mira. Ky vend nuk ka pasur kurrë kaq shumë begati, kaq shumë progres, kaq shumë hapje, kaq shumë zhvillim ekonomik. Unë besoj se është shumë e rëndësishme të kuptojmë sa gjëra bëjmë bashkë në vëllazëri, sa gjëra me mirëkuptim e sa gjëra bëjmë bashkë me këtë bashkëpunim të jashtëzakonshëm që kemi me njëri-tjetrin. Ne kemi pasur vitin tonë historik të turizmit dhe besoj se ky vend është një vend i bekuar, që ecën përpara vetëm kur ne bashkëpunojmë dhe me energjinë tonë pozitive shtyjmë secilin në misionin dhe shërbesën ku është thirrur”, u shpreh mes të tjerash Veliaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!