Veliaj me ambasadorin e Egjiptit: Bashkëpunim mes Aleksandrisë e Tiranës për titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025”

schedule19:30 - 23 Mars, 2024

schedule 19:30 - 23 Mars, 2024

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në një takim ambasadorin e Egjiptit në Tiranë, Mohamed Khalil, me të cilin bisedoi për titullin e përbashkët “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”, që Tirana dhe Aleksandria do të mbajnë në vitin 2025.

“Tirana dhe Aleksandria do jenë dy kryeqytetet mesdhetare të Kulturës për 2025. Është një mundësi që vjen një herë në shekull. Probabiliteti që dy qytetet të lidhen kaq ngushtësisht, të kenë një vijë të shkëmbimeve kulturore, të aktiviteteve, të pasurimit të jetës kulturore në të dy hapësirat tona, është diçka shumë unike. Ne duam ta maksimizojmë dhe unë dua që Tirana të bëjë më të mirën e saj. Jam i sigurt se edhe Aleksandria do bëjë më të mirën e saj, për të pasur një kalendar të përbashkët, për t’u siguruar që teatrot, operat, baletet tona, grupet tona muzikore, grupet tona studentore, të nxënësve të shkollave, ta shfrytëzojnë këtë mundësi shkëmbimi, si një mundësi e jashtëzakonshme për këto dy anë të Mesdheut”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se Tirana dhe Aleksandria do sigurohen që vitin e ardhshëm të kenë një vit kalendarik të përbashkët. “Mezi presim të kemi një kalendar të përbashkët dhe të sigurohemi që këtë ta kthejmë në një urë edhe me anëtarët e tjerë të Mesdheut. Ashtu siç Egjipti është një epiqendër e samiteve dhe konventave të të gjithë Mesdheut, edhe Tirana i ka parë leverdinë promovimit të qytetit, si një hapësirë mendjehapur, me mentalitet të hapur, vend shumë i aksesueshëm, por edhe sot me kushtet, hotelet dhe me një infrastrukturë mikpritëse shumë herë më e mirë se ajo që kishim para disa vitesh. Kjo ka kontribuar në ekonomi, kjo kontribuon në hotele, restorante, në biznes, në fluturimet ajrore, ndaj edhe duam që këtë titull të ri të Kryeqytetit Mesdhetar të Kulturës, që ne ndajmë me Aleksandrinë, ta kthejmë në një supermundësi edhe ekonomike për Tiranën”, tha ai.

Ambasadori i Egjiptit në Shqipëri, Mohamed Khalil vuri theksin te bashkëpunimi mes dy qyteteve, sidomos në vitin 2025. “Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera dhe kjo është një mundësi që ne të punojmë së bashku, për të promovuar bashkëpunimin mes dy popujve tanë, me mendje të hapur dhe shkëmbime kulturore. Kemi shumë gjëra për të prezantuar dhe për të bashkëpunuar. Do të fillojmë të punojmë me një agjendë aktivitetesh dhe do të shohim sesi mund të përfshihemi dhe sesi mund të zhvillojmë aktivitete që do t’i përfaqësonin të dyja vendet tona në mënyrën e duhur. Nuk do të promovohet vetëm kultura, por do të promovohet edhe turizmi, biznesi, marrëdhëniet mes njerëzve. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera historike për më tepër se 200 vjet, kemi marrëdhënie dhe bashkëpunim të shkëlqyer politik, por duam të promovojmë marrëdhëniet mes njerëzve”, përfundoi ambasadori.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!