Veliaj: Kushdo mund të dhuroje një pemë

schedule11:57 - 4 Nëntor, 2017

schedule 11:57 - 4 Nëntor, 2017

Bashkia e Tiranës ka vijuar mbjelljen e pemëve tek Unaza e Madhe. Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se po krijohet gjurma e pyllit orbital, ndërsa apeloi se kushdo mund të dhurojë një pemë.

Pylli Orbital, që do të rrethojë Tiranën, ka nisur të lërë gjurmën e tij në segmentin e Unazës së Madhe.

Bashkia dhe Agjencia e Parqeve e Rekreacionit vijojnë punën për pyllëzimin e pjesës jugore të Parkut  të Liqenit Artificial, nga ku ka nisur projekti.

Aksionit iu bashkua edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

 “U jam shumë mirënjohës sot të gjithë kolegëve që po na ndihmojnë me mbjelljen e 100 rrapeve në gjurmën e Unazës së Madhe të Tiranës, që në fakt do të jetë edhe gjurma e Pyllit Obital që do të rrethojë qytetin. Siç e shikoni, vetëm në bregun jugor të Liqenit, përpara dy vitesh diskutohej me sherr dhe me histeri pse po pastrohej ai vend nga ndotja dhe nga pikat e grumbullimit apo djegia e plehrave. Ja që ishte një vendim i drejtë, sot kemi fituar një mini-pyll. Po të vazhdojmë me këtë kulturë, ka një efekt domino, një pjesë sot, një pjesë tjetër nesër, e pak nga pak po fillojmë të konturojmë Pyllin Orbital”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës u shpreh optimist se me këtë ritem do mund të mbillen më shumë se 50 mijë pemë.

“Me këtë frymë do të vazhdojmë të thyejmë edhe rekordin tonë të 50 mijë pemëve në vit. Kur të mbarojë stina e mbjelljeve në pranverë, me këto ritme besoj se do të kemi mbi 100 mijë pemë të mbjella në Tiranë, përpara se të fillojmë masivisht pastaj me Pyllin Orbital”, u shpreh ai.

Veliaj i bëri apel bizneseve te kontribuojnë për gjelbërimin e qytetit.

“Në qoftë se 1 milionë vetë mbjellin nga 1 pemë, 1 milionë pemë mund ta ndryshojnë Tiranën. Përpara se të kërkojmë përgjegjësi kolektive, secili njëherë merr përgjegjësinë individuale. Ndaj, më vjen mirë që shumë kompani i janë bashkuar thirrjes tonë, pothuajse çdo ditë të javës kemi pasur mbjellje dhe dua t’i ftoj edhe kompanitë e tjera që ta ndjekin këtë shembull. Secila kompani që ka një numër makinash mjafton që të mbjellë dyfishin e atij numri në pemë, për t’u ndjerë edhe në ndërgjegje të pastër sepse ka zeruar të gjithë impaktin që ky ka në mjedis me ndotjen apo me gazrat që lëshojnë mjetet”, u shpreh Veliaj.

Filmimet iu shperndane medias nga zyra e shtypit e bashkise ndersa krybashkiaku deklaroi se ne kete mison kontributin e tyre mund ta japin edhe qyetaret./ABC News