Veliaj jep lajmin e mirë për artistët: Rikthejmë Bienalen e Tiranës

schedule19:57 - 4 Maj, 2023

schedule 19:57 - 4 Maj, 2023

Kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë një takimi me artistë të mirënjohur të Tiranës, dha lajmin e mirë për rikthimin e Bienales së Tiranës. Ai u shpreh se vendimi për rikthimin e këtij eventi të rëndësishëm është marrë dhe është lajm i mirë për të gjithë artistët.

“Pasi u informuam për kohën kur Edi [Rama] organizonte me shumë pasion Bienalen e Tiranës, kemi marrë një vendim që, tani që kemi mbaruar historinë e pandemisë, të tërmetit dhe inflacionit të luftës dhe gjerat janë kthyer në realitet, të rikthejmë Bienalen e Tiranës, çka besoj është një lajm i mirë për të gjithë artistët”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë shtoi edhe dy fjalë për akuzat që kundërshtarët politikë kanë bërë ndaj artistëve, të cilët po mbështesin transformimin e Tiranës në këto vite.

“Në betejën që historia të fitojë mbi histerinë ne duhet të jemi bashkë. I gjithë ky invazion që një pjesë e politikës i bën artit dhe kulturës, duke thënë: ‘Janë paguar me taksat e shtetit’, – patjeter sepse edhe një artist ka fëmijë për të rritur, mund të jetë sëmurur me Covid, duhet të mbajë familjen, ka nevojë të paguajë qeranë e shtëpisë ose kredinë në bankë – duhet të përballohet me mirësi dhe në mënyrë të fisme si argument. Patjetër që artistët do paguhen. Ata janë njerëz që kanë bërë shkollë, që rrisin familje, që duhet të paguajnë gjithashtu taksa, tatime, qera dhe kredi. Ndaj, kjo histeria që këta thonë se po e bëjnë këtë me taksat, – çdo gjë bëhet me taksat, edhe asfalti, edhe ndriçimi me taksat, edhe pastrimi që po ndodh tani në shesh me taksa behet – duhet të dinë se arti është gjithashtu një shërbim publik dhe në këtë sens duhet të jemi të gjithë në një front, për të bërë më shumë histori e më pak histeri”, u shpreh Veliaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!