Bashkia e Tiranës ka nderuar me titullin “Simbol i qytetit të Tiranës”, një nga figurat emblematike të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, Gjeneral-Lejtnant Rrahman Parllakun.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa i dorëzoi titullin e vlerësoi gjeneral Parllakun si simbol të kujtesës patriotike, qytetare dhe historike.
“Bashkia Tiranë, i jep çertifikatën për titullin “Simbol i qytetit të Tiranës” z. Rrahman Parllaku, me motivacionin “patriot që luftoi fashizmin, figurë emblematike e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, gjenerali që sfidoi regjimin e diktaturës komuniste, dhe Hero i Popullit, titull që diktatura komuniste ia hoqi, por historia ia përjetësoi. Ndaj, qyteti i Tiranës, që sapo ka hyrë në vitin jubilar të 100-vjetorit të shpalljes Kryeqytet i Shqipërisë, ka krenarinë që t’i japë titullin e nderit “Simbol i Qytetit” bashkëmoshatarit të saj shekullor, i cili për kontributin e tij është kthyer në simbol të gjallë të kujtesës patriotike, qytetare dhe historike” , tha Kryebashkiaku.
Heroi i Popullit Rrahman Parllaku ndërsa kujtoi betejat në luftën për çlirimin e Tiranës, në këtë 100-vjetor të tij shprehu mirënjohjen ndaj kryebashkiakut Veliaj për këtë vlerësim që i bëhet në përvjetorin e lindjes.
“Në Tiranë kam ardhur me Brigadën e III-të dhe luftova një muaj e gjysmë. Kemi bërë 22 aksione brenda qytetit, komandën e kishim në Priskë. Kur kujtoj këto ngjarje, ato baticat e zbaticat e mia në jetë, them që jetova. Jeta nuk është siç thonë, hyra këtu e dola atje. Jeta është e këndshme, me të mirat e të këqijat e saj. Edhe nga të këqijat, edhe nga burgu, mësova diçka. Njeriu mëson edhe nga vuajtjet, jo vetëm nga të mirat, mëson edhe nga të këqijat. Ju faleminderit për nderimin”, u shpreh Gjeneral Parllaku.
Gjenerali Rrahman Parllaku është ndër të paktët partizanë që jetojnë dhe dëshmojnë histori të tre kohëve, të partizanit e luftëtarit antifashist, heroit e komandantit ushtarak dhe atë të persekutimit komunist./abcnews.al