Veliaj: E kemi transformuar komplet ‘Myslym Shyrin’, sot një nga zonat më të lakmuara në Tiranë

schedule23:26 - 27 Shkurt, 2024

schedule 23:26 - 27 Shkurt, 2024

Rruga “Myslym Shyri”, një prej zonave më të frekuentuara të kryeqytetit, është transformuar totalisht falë ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës, duke sistemuar edhe trotuarët. Gjithashtu, një sërë pallatesh përgjatë gjithë rrugës janë veshur me sistemin kapot, me ndihmën e Fondit të Komunitetit që ofrohet nga Bashkia e Tiranës.

“Vendosëm të bëjmë një transformim total te Rr. “Myslym Shyri”; pra, bëmë gjithë rrjetin nëntokësor, që të mos hapet më. Janë bërë ndërhyrje që uji të mos derdhet më në rrugë, siç prishte prapë trotuaret, por secili pallat ka ullukun e vet dhe pallatet e vjetra janë sistemuar. E kemi filluar në një sërë pallatesh të bëjmë veshjet me kapot dhe Fondin e Komunitetit. Falë këtyre investimeve në Rr. “Myslym Shyri” është rritur ndjeshëm vlera e pronës. Për të gjithë ata cinikët që thonë është problem rritja e vlerës së pronës, pyet 93% të Tiranës, që në fakt janë zot të shtëpisë së tyre, a mërziten kur ju shtohet vlera e pronës me nga 100-200 euro apo u bie nga 100 në 50?! Një qytet i madh, që vazhdon e i rritet prona do të thotë qseë po punohet me cilësi dhe infrastrukturë”, tha Veliaj gjatë takimit në Njësinë 10, ku mirëpriti dhe u dorëzoi kartat e anëtarësimit anëtarëve më të rinj në Partinë Socialiste.

Drejtuesi politik për qarkun e Tiranës tha se investime të tilla, si në Njësinë 10 dhe jo vetëm aty, por në të gjitha njësitë e kryeqytetit, janë politika e mirë që bën partia më e madhe në vend.

“Ndonjëherë mendojmë se politikë është vetëm e enjtja në Parlament, ku patjetër, kur kushtet janë normale i dëgjon të dyja palët dhe tezat e tyre. Por, në anomalinë e sotme, si në Këshill Bashkiak, si në Parlament, është kthyer në një gjë që vetëm politikë nuk është. E njëjta gjë ndodhi me shkollën “Avni Rustemi”. Ne filluam rikonstruksionin e shkollës – është një shkollë që zbuluam se kishte shumë talente sportive – dhe kishim planifikuar një palestër shumë modeste. Morëm vendim, meqë kjo shkollë e ka këtë traditë, atëherë do bëjmë edhe një shpronësim, do shtyjmë dhe pak kangjellat dhe do bëjmë një palestër të mirëfilltë me përmasat olimpike. Pra, me të gjitha standardet e lartësisë, gjerësisë, të pjesës së hapësirës përtej vijave, të dhomave të zhveshjeve. Kjo është politikë! Duke qenë se është i PS-së, kryetari i bashkisë, administratorja, deputeti, kanë mundësi që përmes kësaj vote, kësaj vendimmarrje, të ndikojnë që këto gjëra të bëhen”, tha Veliaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!