Aksidenti ajror në Uashington, pas përplasjes së një helikopteri luftarak dhe një avioni udhëtarësh është një tragjedi njerëzore, por edhe sportive.
Mediat amerikane kanë zbuluar të tjera detaje, ndërsa sipas tyre shumë prej pasagjerëve që udhëtonin në linjën e brendshme ajrore ishin patinatorë, trajnerë dhe familjarë të tyre që ktheheshin në shtëpi pasi kishin marrë pjesë në kampionatin e patinazhit në fundjavë.
Mes tyre edhe ish kampionët e botës në patinazh, Evgenia Shishkova dhe Vladimir Nuamov, përkatësisht 52 dhe 54 vjeç.
Në vitin 1994 ata triumfuan në Botërorin e Chiba, ndërsa për vite më radhë ishin yjet e këtij sporti.
Jo vetëm në sport, pasi ata ishin çift edhe në jetë, duke kurorëzuar lidhjen e tyre me martesën në Shën Petersburg në vitin 1995.
Tre vite më vonë u shpërngulën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku punonin si trajnerë patinazhi.
Evgenia Shishkova dhe Vladimir Nuamov janë konfirmuar si të vdekur nga aksidenti, ndërsa ende nuk dihet zyrtarisht fati i patinatorëve të tjerë, në një kohë që kërkimet në lumin Potomac vijojnë.