Astronauti i Apollo 8, William Anders, i cili bëri fotografinë e parë me ngjyra të Tokës nga hapësira, vdiq kur avioni me të cilin po pilotonte u rrëzua pranë ishullit San Juan në shtetin Uashington. Anders ishte 90 vjeç.
Sherifi i Komisariatit të San Juan, Eric Peter tha se avioni me të cilin Anders po fluturonte ishte i vjetër dhe Administrata Federale e Aviacionit njoftoi se Anders ishte vetëm në aeroplan, raporton AP.
Anders bëri fotografinë e parë me ngjyra të Tokës nga hapësira, një nga fotot më mbresëlënëse të planetit tonë nga hapësira. Fotografia është bërë gjatë misionit Apollo 8 në vitin 1968, misioni i parë me njerëz që hyri në orbitën hënore.
Anders më vonë e përshkroi fotografinë si kontributin e tij më domethënës në programin hapësinor. Fotoja është një nga fotot më të rëndësishme në historinë moderne sepse ndryshoi mënyrën se si njerëzit e shikojnë planetin./abcnews.al