Vdekja tragjike e Emiliano Sala, “BBC” nxjerr detaje të reja: Piloti e dinte për problemet e avionit!

schedule11:36 - 21 Shtator, 2022

schedule 11:36 - 21 Shtator, 2022

Janari i 2019 është ngulitur fort në memorien e botës së sportit. Vdekja tragjike e futbollistit argjentinas, Emiliano Sala do të trondiste themelet e futbollit.

Kur kanë kaluar gati 3 vite nga kjo tragjedi, akoma dalin detaje të reja mbi vdekjen e futbollistit argjentinas.

“BBC” ka publikuar një audio të pilotit të avionit që u përplas në Kanalin Anglez një ditë përpara ngjarjes, ku pohon se mjeti fluturues ishte i dyshimtë. David Ibbotson dëgjohet në audio duke thënë se do të veshë jelekun e shpëtimit në udhëtimin nga Franca në Uells.

Piloti i ka thënë një mikut të tij se ka dëgjuar një zhurmë gjatë fluturimit drejt Nantes, përpara fluturimit të radhës që përfundoi në tragjedi.

BBC po ashtu ka postuar momentet e fundit ku piloti dhe Sala shiheshin gjallë. Sala para ngjarjes sapo ishte bërë lojtar i Cardiff. Në bisedën telefonike Ibbotson i tregon problemet teknike shokut të tij.

“Po fluturoja dhe pastaj “bum”. Mendova se çfarë mund të kisha bërë gabim. Kështu që kontrollova të gjitha parametrat dhe çdo gjë ishte në rregull dhe po fluturoja, por ishte nga ato gjëra që të kapnin vëmendjen”, shprehet piloti.

59-vjeçari ka thënë se edhe pedalja e majtë e frenave nuk punonte kur është ulur në aeroportin e Nantes. “Ky avion duhet të çohet në hangar”, thotë ai. Kujtojmë që edhe vetë Sala ka dërguar mesazhe gjatë udhëtimit. Shokëve të afërt ai u ka thënë se avioni dukej sikur po ndahej në copash. “Nuk e di nëse dikush do të shikojë për mua sepse nuk do të më gjejnë dot”, thoshte Sala.

Futbollisti argjentinas nuk e dinte që Ibbotson nuk ishte i kualifikuar. Ai ishte një pilot amator dhe nuk kishte licencë për të transportuar pasagjerë me pagesë ose për të fluturuar në errësirë. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!