Vdekja është njerëzore, gjuetia e vdekjes është çnjerëzore

schedule20:54 - 30 Qershor, 2020

schedule 20:54 - 30 Qershor, 2020

Nga Ilir Beqaj

Vdekja është njerëzore, gjuetia e vdekjes është çnjerëzore

Qysh prej fillimit të epidemisë, janë 63 familje që kanë humbur të shtrenjtët e tyre.

Në fillim të javës së 17-të të Covid-19 u shënuan 4 fatalitete. Midis tyre edhe dy punonjës së shëndetësisë. Mjeku hematolog, dr. Arian Pushi dhe një drejtues autoambulance i Shërbimit Kombëtar të Urgjencës Mjekësore, Artur Ndreu.

Këta janë dëshmorët e parë të rënë në frontin e betejës së luftës. Kur u tha në javët e para të epidemisë se kjo është luftë, pati që u tallën apo u shprehën cinikisht.

Të vdesësh është njerëzore. Edhe në krye të detyrës. Jeta e tillë është. Çdo profesion bart edhe rreziqet e veta.

Tani që dr. Pushi nuk jeton më, po shprehet mirënjohja për përkushtimin e tij dhe solidariteti me të afërmit e tij. Por të afërmve të tij, më së pari duhet t’u kërkojmë falje. Për ato orë të vështira që kanë kaluar dje pasdite dhe në mbrëmje. Përpos dhmibjes për të shtrenjtin e tyre, iu desh të përballeshin edhe me gjuetinë e shfrenuar të lajmit të vdekjes së tij. Një garë e pakuptimtë se kush do të njoftonte më i pari vdekjen. E gjitha kjo në emër të trasparencës?!

Jo! Kjo gjueti për vdekjen nuk mund të jetë transparencë. Nuk dua të jap opinionin tim se çfarë mendoj se është, sepse nuk dua të përfshij kujtimin dr. Pushit në këto diskutime.

Shpresoj dhe uroj që gjueti të tilla të mund të mos ndodhin më.

Prandaj, familjarë të dëshmorëve të luftës me Covid-19, na falni! Si një prej të gjallëve të këtij dheu e ndjej se duhet edhe unë t’ju kërkoj falje. Më tej, është shteti që duhet t’u japë këtyre dëshmorëve të njëjtin trajtim e vlerësim që ndodh edhe me ushtarakët e rënë në krye të detyrës. Në luftë mund të jesh me uniformë të gjelbër, blu, por edhe të bardhë.

RIP dr. Arian Pushi!

RIP Artur Ndreu!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!