Nga Xhensila Kodra
Në raportin e publikuar nga Komiteti shqiptar i Helsinkit, ngjarja e rëndë e ndodhur dy ditë më parë në komisariatin e Kavajës, ku vari veten i arrestuari Ilvi Meta, mund të ishte parandaluar.
Sipas Komitetit të riut nuk i është nënshtruar asnjë kontroll apo vizitë nga mjeku, kjo e verifikuar edhe nga libri i vizitave mjekësore të mjekut, ku pasqyrohej vetëm konstatimi i vdekjes së tij.
Konkretisht, në librin e dorëzimit të shërbimit, punonjësi përgjegjës ka identifikuar rrezikun për tentativë vetëvrajse të 31 vjeçarit Ilvi Meta.
Në këtë libër është shënuar si porosi për personin që do të merrte në turnin e radhës, se duhej t’i kushtohej një vëmendje e veçantë të arrestuarit Ilvi Meta, pasi ky i fundit mund të tentonte të vëtëvritej.
Në këto kushte, kontrolli mjekësor ndaj tij duhej të ishte realizuar menjëherë pas konstatimit të këtij fakti, thuhet në reagimin e Komitetit shqiptar të Helsinkit.
Vëzhguesit e Komitetit, verifikuan nga afër edhe kushtet e dhomës së sigurisë ku ishte vendosur Ilvi Meta, prej nga rezultoi se ajo nuk përmbushte kriteret e parashikuara në ligj.
Shufra metalike horizontale e zgavrës së qelisë nuk duhet të ishte më e lartë se 60 cm. Rezultoi se ajo ishte vendosur në një lartësi rreth 2 metër, gjë që krijonte mundësinë e vetëvarjes.
Vetëvrasja e të riut u konstatua nga shefi për mbikëqyrjen e dhomave të sigurisë, por ai nuk mund të hynte pasi nuk kishte çelësin e qelisë, të cilin e mbante përgjegjësi i dhomave të sigurisë, e pasi ai përfundonte orarin e shërbimin, çelësi mbahej në sallën operative të Komisariatit.
Për këtë ngjarje u arrestuan tre punonjës policie. Njëri prej tyre deklaroi se Metës nuk iu gjet gjatë kontrollit asnjë send i jashtëligjshëm, madje sipas tij as bluza nuk kishte kapuç.
Tre efektivët e arrestua nesër dalin në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë.
Raporti i KShH:
Ngjarja tragjike në Komisariatin e Kavajës mund të parandalohej
Dje mbasdite, në date 5 Maj 2022, Komiteti shqiptar i Helsinkit (KShH), mbështetur në njoftimet e medias lidhur me vetëvarjen në Komisariatin e Policisë Kavajë, të të riut Ilvi Meta, dërgoi një ekip vëzhguesish për të verifikuar në vend këtë ndodhi të dhimbshme dhe tragjike. Nga ky verifikim rezultoi si vijon:
Në datën 4 Maj, punonjësit e policisë në bazë të një urdhëri arresti kanë ndaluar dhe shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Kavajë, shtetasin Ilvi Meta, të dyshuar për veprën penale të vjedhjes, që kishte ndodhur në një banesë rreth një muaj më parë.
Në takimin që patën me shefin e Komisariatit të Policisë Kavajë, vëzhguesit e KShH-së u informuan se para dy javësh, prokuroria kishte nisur hetimet për këtë ngjarje, duke kërkuar më pas në gjykatë caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg” për të dyshuarin Ilvi Meta. Gjykata e kishte pranuar kërkesën e prokurorisë. Familjarët ishin vënë në dijeni të këtij fakti sepse në momentin e shoqërimit të përsonit nga policia ishte kryer një kontroll banese i të dyshuarit, në praninë e babait të tij. Gjithashtu, vëzhguesit u informuan se shtetasi Ilvi Meta është shoqëruar fillimisht në
Komisariatin e Policisë Kavajë në orën 11:30 të datës 04.05.2022, e cila u verifikua edhe në Rregjistrin e Evidentimit e Dhënave për Personat e Shoqëruar.
Në orën 15:50 është realizuar ekzekutimi i masës së sigurisë “arrest me burg” në ambientet e Komisariatit, për veprën penale të Vjedhjes (sipas nenit 134/1 të Kodit Penal), si dhe është njoftuar familjari i tij, babai, nga oficeri i patrullës B.B. I ndjeri Ilvi Meta ka qendruar i vetëm në dhomën e sigurisë. Kjo e dhënë është verifikuar edhe në Rregjistrin e personave të ndaluar/arrestuar të ndodhur në Komisariat.
Në ambientet e Komisariatit që nga momenti i shoqërimit deri në ndodhjen e ngjarjes, personi nuk i ishte nënshtruar një kontrolli apo vizite nga mjeku, kjo e verifikuar edhe nga libri i vizitave mjeksore të mjekut, ku pasqyrohej vetëm konstatimi i vdekjes së tij. Vlen të theksohet se referuar nenit 34/b, gërma ç) të Kodit të Procedurës Penale dhe akteve nënligjore, autoritetet e Komisariatit kishin detyrimin të merrnin masat e nevojshme, sa më shpejtë të jetë e mundur, por jo më vonë se 12 orë nga momenti i ndalimit/arrestimit, për nënshtrimin e këtij shtetasi ndaj kontrollit ose vizitës mjekësore të specializuar. Duke qenë se në rastin konkret, në librin e dorëzimit të shërbimit, punonjësi përgjegjës ka identifikuar rrezikun për tentativë vetëvrajse të këtij shtetasi, kontrolli mjekësor ndaj tij duhej të ishte realizuar menjëherë pas konstatimit të këtij fakti. Vlen gjithashtu të theksohet se respektimi i këtyre garancive është i domosdoshëm, për të identifikuar nëse personi vuan nga ndonjë sëmundje dhe nëse ka nevojë për trajtim mjekësor si dhe për të përjashtuar çdo dyshim të arsyeshëm dhe objektiv, se personi i është nënshtruar formave ushtrimit të dhunës, me elementë të trajtimit ç’njerëzor dhe degradues (referuar standarteve të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut si dhe rekomandimeve të Komitetit për Parandalimin e Torturës të Këshillit të Evropës).
Në procesverbalin e kontrollit personal ishte evidentuar se të arrestuarit nuk i ishte gjetur asnjë send i ndaluar dhe nuk kishte asnjë gjë për t’u raportuar. Sipas pikës 9.2 të seksionit 5 të Urdhërit 925, datë 18.07. 2019 “Trajtimi dhe sigurimi i personave të arrestuar/ndaluar në ambientet e Policisë së Shtetit, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre”, para se personi të vendoset në dhomën e sigurisë, kjo e fundit kontrollohet nga përgjegjësi i dhomave të sigurisë për të verifikuar ekzistencën e kushteve, ndër të tjera edhe lidhur me mos ekzistencën e asnjë sendi tjetër (përveç atyre të përcaktuara në këtë procedure) me të cilin i arrestuari/ndaluari mund të cenojë sigurinë, jetën, shëndetin e tij apo të personave të tjerë (çakmakë, shkrepse, drogë, armë etj). Hetimet duhet të hedhin dritë edhe mbi përmbushjen e këtij detyrimi, por paraprakisht KShH vëren se pasojat që kanë ardhur nga kjo ngjarje e rëndë, vendosin në pikëpyetje kontrollin rigoroz të dhomës së sigurisë dhe/ose kontrollin personal të të arrestuarit.
Vëzhguesit e KShH verifikuan nga afër kushtet e dhomës së sigurisë ku ishte vendosur i ndjeri Ilvi Meta, prej nga rezultoi se ajo nuk përmbushte kriteret e parashikuara në seksionin 8, pika 3.2/d të Urdhërit 925, datë 18.07. 2019 “Trajtimi dhe sigurimi i personave të arrestuar/ndaluar në ambientet e Policisë së Shtetit, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre”, Konkretisht shufra metalike horizontale e zgavrës së qelisë nuk duhet të ishte më e lartë se 60 cm. Në fakt ajo ishte vendosur në një lartësi rreth 2 metër, gjë që krijonte mundësinë e vetëvarjes. Shefi i komisariatit na informoi se për t’i dhënë fund jetës së tij ai kishte përdorur një lidhëse të kapuçit varur tek shufra metalike.
Roja i shërbimit për mbikqyrjen e dhomave të sigurisë ishte personi që konstatoi se Ilvi Meta ishte varur, por nuk mund të hynte në dhomë pasi nuk kishte çelësin e qelisë, të cilin e mbante përgjegjësi i dhomave të sigurisë, e pasi ai përfundonte orarin e shërbimin, çelësi mbahej në sallën operative të Komisariatit. Ai u njoftua menjëherë dhe mbas hapjes së derës u realizua shoqërimi i tij në qendrën spitalore më të afërt, ku dhe u konstatua vdekja e tij.
Prokuroria lidhur me këtë ngjarje ka nisur menjëherë çështjen penale dhe rezultojnë të arrestuar, tre punonjës policie. Gjatë verifikimit, pranë dhomave të sigurisë të këtij Komisariati, ndodheshin dhe punonjësit e Policisë të arrestuar për këtë ngjarje, me dy prej të cilëve vëzhguesit e KShH-së arritën të komunikonin. Një prej punonjësve që kishte qënë prezent në kontrollin fizik të të ndjerit, deklaroi se nuk i është gjetur asnjë lidhëse të ndjerit, si dhe bluza që ai mbante veshur nuk kishte kapuç. Punonjësi tjetër, përgjegjës i dhomave të sigurisë, i tha vëzhguesve se ai nuk është ndodhur në turn në momentin që ngjarja ka ndodhur. Ky fakt është verifikuar më tej nga vëzhguesit, dyke kqyrur në librin e dorëzimit të shërbimit të përgjegjësve të dhomave të sigurisë, nga ana e P.B, në datën 04.05.2022 në orën 19:00. Tërheq vëmendjen se në këtë libër është shënuar si porosi për personin që do të merrte në turnin e radhës, se duhej t’i kushtohej një vëmendje e veçantë të arrestuarit Ilvi Meta, pasi ky i fundit mund të tentonte të vëtëvritej. Shënimi në këtë libër është firmosur nga P.B, i cili ka qënë duke lënë turnin, si dhe nga G.H i cili është punonjësi që ka marrë turnin si përgjegjës i dhomave të sigurisë. Vëzhguesit e KShH-së raportojnë se ky shënim ka mospërputhje me shënimin që mjeku, O.H, ka bërë në librin e vizitave mjeksore, nr 63, duke shënuar orën 18:00 të dt.4 Maj, si orën e konstatimt të trupit të pajetë të të ndjerit. Kjo mospërputhje e bën të paqartë momentin kur punonjësit kanë konstatuar ngjarjen por nuk pengon në vlerësimin tonë hetimin e mëtejshëm nga prokuroria përgjegjëse për zbardhjen e ngjarjes.
KShH shpreh shqetësimin se rasti në fjalë nuk është një rast i izoluar. Institucionet eprore si dhe ato ku mbahen shtetasit e ndaluar apo të arrestuar si dhe persona që ndodhen në ambientet e paraburgimit apo në burgje, duhet të kujdesen në mënyrë të veçantë për masat e sigurisë dhe respektimin e tyre, me qëllim garantimin e shëndetit dhe jetës së këtyre shtetasve. Është përgjegjësi e tyre dhe personave të ngarkuar me këtë detyrë, të zbatojnë në mënyrë korrekte dhe me vigjilencën e duhur, ligjet dhe aktet nënligjore ku përcaktohen masat parandaluese të sigurisë që duhet të merren, nënshtrimin e këtyre personave ndaj kontrollit mjekësor si dhe realizimin e kontrolleve periodike, për zbatimin e duhur të kuadrit ligjor.
KShH, i sugjeron organit të prokurorisë që të zhvillojnë hetime të plota, objektive dhe të gjithanshme, për zbulimin e së vërtetës dhe vënien para përgjegjësisë të personave që me veprimet apo mosveprimet e tyre nuk kanë zbatuar detyrimet ligjore përkatëse.
Në përfundim, KShH shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes dhe të afërmve të viktimës si, dhe zotohet publikisht për ofrimin e shërbimit ligjor falas të specializuar, për përfaqësimin e të drejtave dhe interesave të tyre para organeve të drejtësisë, nëse do të jenë dakord.
/Abcnews.al/