Vdekja e Rossit, Falcao: I gjithë Brazili qau prej tij, tani qan për të

schedule13:35 - 10 Dhjetor, 2020

schedule 13:35 - 10 Dhjetor, 2020

Në orët e para të mëngjesit të sotëm Paolo Rossi, legjenda e Italisë në Botërorin e vitit 1982 u nda nga jeta për shkak të kancerit në moshën 64-vjeçare. Ish-sulmuesi do të mbahet mend gjatë për atë që i bëri një prej skuadrave më të fortë të Brazilit ndonjëherë.

 

Ajo skuadër kishte në përbërje yje si Zico, Falcao, Eder apo Socrates, por në fund Rossi i eliminoi para kohe nga Botërori Spanjë 1982. Tre golat e tij e dërguan Brazilin favorit në shtëpi dhe i dhanë vrullin e duhur Italisë për të triumfuar. Atëherë i bëri të qajë, por kjo nuk i bën brazilianët të mos u dhimbset ndarja e Rossit nga jeta.

I pari që reagon nga ai ekip i Brazilit është Paulo Roberto Falcao, ish-fantazisti i njohur në ato kohë, që provoi të luante edhe në Europë me Romën. “Brazili ka qarë prej tij, tani qan për të. Rossi na hoqi një Kupë Bote, por ai na pushtoi me dëshirën për të luajtur futboll”, shkruan Falcao në Instagram. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!