Nikolin Lorenci, ish-futbollisti dhe trajneri i Besëlidhjes, u nda nga jeta ditën e sotme pas një beteje që pati me koronavirusin. Lajmi i ndarjes nga jeta ka pikëlluar gjithë komunitetin sportiv, jo vetëm në Lezhë. FSHF, përmes presidentit Armand Duka, ka përcjellë një mesazh ngushëllimi me të mësuar për vdekjen e Lorencit.
“Ndihem i pikëlluar nga lajmi i trishtë i ndarjes nga jeta të ish-futbollistit të njohur lezhjan, Nikolin Lorenci. Dua të ngushëlloj familjen, miqtë dhe të afërmit e tij për humbjen e njeriut tyre të dashur.
Nikolin Lorenci ka dhënë një kontribut të madh për futbollin shqiptar ndër vite, fillimisht si futbollist i Besëlidhjes e më pas si trajner dhe në postin e drejtuesit të klubit.
Gjithashtu, Lorenci ka dhënë ndihmën e tij për FSHF-në, si anëtar i Komitetit Ekzekutiv i Federatës ne mesin e viteve ‘ 90. Kontributi i vazhdueshëm për futbollin do ta bëjë emrin e tij të paharruar. U prehtë në paqe!”, shkruan Duka në rrjetet sociale. /abcnews.al