Vdekja e gazetarit, Trump mbështet versionin saudit

schedule08:16 - 21 Tetor, 2018

schedule 08:16 - 21 Tetor, 2018

Presidenti Donald Trump ka mbështetur versionin e ofruar nga autoritetet e Riadit mbi vdekjen e gazetarit disident Xhamal Kashogi. Ndërkohë, kritikave në adresë të Mbretërisë Saudite mbi rastin në fjalë iu bashkuan të shtunën Gjermania dhe Franca, të cilat kërkuan transparencë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka cilësuar “të besueshëm” variantin e autoriteteve arabe në lidhje me vdekjen e gazetarit Xhamal Kashogi brenda konsullatës saudite në Stamboll. Në reagimin e tij, Trump tha se lëvizja e mbretërisë përbën një hap të rëndësishëm përpara.

“Mendoj se është një hap pozitiv dhe i rëndësishëm”, u shpreh Trump, duke shtuar se do të flasë sërish me princin e kurorës Mohamad bin Salman.

“Arabia Saudite ka qenë një aleat i shkëlqyer, por ajo që ndodhi është e papranueshme”, vijoi Trump.

Më tej ai vlerësoi rolin e Arabisë Saudite kundër fuqizimit të Iranit në rajonin e Lindjes së Mesme dhe mbrojti tregtinë e armëve mes Shteteve të Bashkuara dhe Riadit. Më herët, në një reagim për shtyp Shtëpia e Bardhë deklaroi se Uashingtoni zyrtar do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për gazetarin.

 “Do të vazhdojmë të ndjekim me vëmendje hetimet ndërkombëtare mbi këtë incident tragjik dhe do të luftojmë për drejtësi dhe transparencë”, tha zëdhënësja Sarah Sanders.

Kritikave në adresë të mbretërisë saudite iu bashkua të shtunën edhe kancelarja gjermane Angela Merkel.

“Ne e dënojmë fuqishëm këtë akt dhe presim sqarime dhe transparencë nga Arabia Saudite mbi rrethanat e vdekjes së Kashogit”, tha Merkel.

Në të njëjtën linjë u shpreh në Paris edhe ministri i Jashtëm francez, Zhan Iv le Drio./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!