Parlamenti portugez sot votoi pro miratimit të eutanazisë, duke u bërë vendi i katërt në Evropë dhe i shtati në botë që e aprovon. Eutanazia, apo ndryshe “vdekja e ëmbël” sipas greqishtes, është vullneti i pacientit në një stad terminal të jetës, apo familjarëve të tij për t’i dhënë fund vuajtjeve përgjithmonë përmes një ndihme mjekësore. Pra, përshpejtimi i vdekjes.
Projektligji u miratua me 136 vota pro, 78 kundër dhe 4 abstenime, përcjell abcnews.al.
Kështu, qytetarët mbi moshën 18 vjeç do të jenë në gjendje të kërkojnë ndihmë për të vdekur nëse janë në fazat e fundit të një sëmundjeje dhe vuajnë nga dhimbje “të vazhdueshme” dhe “të padurueshme”, përveç nëse janë të paaftë mendërisht për të marrë një vendim të tillë.
Procedura do të jetë e mundur për qytetarët e vendit dhe banorët e ligjshëm, në mënyrë që të shmanget mundësia që qytetarët nga vendet e tjera të udhëtojnë në Portugali për të marrë ndihmë mjekësore për t’i dhënë fund jetës së tyre.
Ligji tani duhet të ratifikohet nga Presidenti Marcello Rebelo de Souza,. Ai ka deklaruar se do të respektojë vendimin e parlamentit. Portugalia, vend katolik, legalizoi abortet në 2007 dhe lejoi martesat e gjinisë së njëjtë në 2010. g.v/abcnews.al