Mëngjesin e sotëm u nda nga jeta ish-basketbollisti dhe trajneri i njohur i Partizanit, Arben Fagu në moshën 65 vjeçare për shkak të një sëmundje të rëndë, që e mundonte prej muajsh.
Për ndarjen e tij nga jeta ka reaguar edhe Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit. Ai shprehet se lajmi i vdekjes së Fagut ishte tronditës dhe i shpreh ngushëllime familjes.
POSTIMI I DUKËS – “I tronditur nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të Arben Fagut. Sporti shqiptar humbi një ikonë dhe një mjeshtër, që ka dhënë shumë ndër vite, qoftë si basketbollist e më pas si trajner e pedagog, duke edukuar sa e sa breza.
Arben Fagu ishte pinjoll i një familjeje të madhe të sportit shqiptar, që ka nxjerrë kampionë të mëdhenj. Përveçse një personalitet, Beni ishte edhe një mik i mirë e njeri i dashur. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Fagu për këtë humbje të madhe. Do të na mungojë të gjithëve! U prehtë në paqe!”
Në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndarjes së Fagut nga jeta ka reaguar edhe vetë klubi i Partizanit, të cilit babai, ai dhe vëllai i tij i dedikuan pjesën më të madhe të jetës.
POSTIMI I PARTIZANIT – “Me keqardhje të thellë mësuam sot lajmin e ndarjes nga jeta në moshën 65 vjeçare të Arben Fagut, ish-basketbollist dhe trajner i Partizanit dhe ekipit tonë kombëtar.
Beni është pinjoll i familjes së madhe Fagu, i biri i Besim Fagut një nga themeluesit e Klubit Partizani dhe vëllai i legjendës së koshit Agim Fagu. Arben Fagu nuk e tradhtoi historinë e familjes duke qenë pjesë e pandarë e ngjyrave të kuqe dhe njëkohësisht ka dhënë një kontribut të madh me Kombëtaren shqiptare.
Të gjithë karrierën e tij si sportist dhe trajner ai ia kushtoi Partizanit deri në momentet e fundit kur drejtonte ekipin e meshkujve të Partizanit. Klubi i Futbollit Partizani i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve, për këtë humbje të madhe. Lamtumirë kampioni ynë Arben Fagu!” /abcnews.al