Presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me vdekjen e Andrea Haxhiajt në Gjirokastër si pasojë e zjarrit të rënë pranë banesës së tij.
Meta u shpreh ngushëllime familjarëve ndërsa i bën thirrje qeverisë që të angazhohet seriozisht dhe jo me mjete rrethanore për shuarjen e vatrave të zjarrit.
Sipas Metës, është tepër urgjente organizimi i operacioneve më efikase nga ajri dhe marrja e çdo mase efektive, për të shmangur çdo humbje tjetër jete, për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë dhe minimizuar pasojat tepër të rënda në pasuritë publike dhe private.
Reagimi i Metës:
Humbja e jetës së qytetarit Andrea Haxhiaj në zonën e Gjirokastrës, si pasojë e zjarreve, është thellësisht trishtuese. Duke i shprehur ngushëllimet më të thella familjes, i uroj bashkëshortes së të ndjerit, e lënduar nga djegiet në trup, shërim sa më të shpejtë.
I bëj thirrje Qeverisë, në veçanti Ministrit të Mbrojtjes, Ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, të angazhohen seriozisht, me të gjitha forcat operacionale të emergjencës dhe kapacitetet në dispozicion, jo me mjete rrethanore, për përballimin e kësaj situate alarmante, të përhapur tashmë në disa Qarqe të vendit.
Është tepër urgjente organizimi i operacioneve më efikase nga ajri dhe marrja e çdo mase efektive, për të shmangur çdo humbje tjetër jete, për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë dhe minimizuar pasojat tepër të rënda në pasuritë publike dhe private.
Përsëris thirrjen për t’ju drejtuar sa më parë për ndihmë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Europiane dhe çdo vendi partner, që ka mundësi të na ndihmojë.
Përcjell solidaritetin me forcat zjarrfikëse, Forcat e Armatosura dhe punonjësit e strukturave vendore dhe qendrore të angazhuara në terren për fikjen e zjarreve dhe u bëj thirrje qytetarëve, në zonat me rrezikshmëri të lartë, të jenë sa më bashkëpunues me ta, veçanërisht për të zbatuar urdhrin e evakuimit, në rastet kur kjo është e domosdoshme. /abcnews.al/