Vdekja e 32-vjeçarit në Komisariat, pezullohen nga puna dy policët që e shoqëruan

schedule22:04 - 20 Tetor, 2022

schedule 22:04 - 20 Tetor, 2022

Dy policët që shoqëruan në komisariat 32-vjeçarin Lear Kurti, i cili vdiq në ambientet e komisariatit nr.3 në Tiranë janë pezulluar nga puna.

Gazetarja Xhensila Kodra bën me dije se policët do të jenë të pezulluar deri në fund të hetimeve.

Si ndodhi ngjarja

Lear Kurti pak para se të kapej nga policia mbrëmjen e djeshme (19 tetor)  ndodhej nën shoqërinë e mikut të tij, Zyhdi Spahiu në rrugën “Riza Çuka”, pranë Spitalit të Traumës.

Në momentin që janë ndarë, 32-vjeçari është parë nga një patrullë e komisariatit nr 3 duke qëndruar përpara një biznesi privat.

Ai u ndalua nga policia si person i dyshimtë në orën 23:11 minuta.  Dy oficerët i kërkuan mjetin e identifikimit.

I riu nuk iu bind dhe menjëherë u largua me vrap. Dy punonjësit e policisë e ndoqën dhe afro 200 metra më tutje e ndaluan, në zonën e Don Boskos. Në këtë moment, aty pranë ishte dhe miku i tij Zyhdi Spahiu. Ky i fundit u ka kërkuar oficerëve se përse po e shoqëronin shokun e tij.

ABC mëson se për të bërë shoqërimin e dy të rinjve në komisariat, dy oficerët kanë kërkuar përforcime. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se 32 vjeçari Lear Kurti gjatë kësaj kohe u ka pohuar uniformave blu se nuk ndihej mirë. Në atë vend kanë qëndruar për 7 minuta dhe sapo i riu është qetësuar kanë shkuar në komisariat.

Fillimisht, Kurti u ka thënë oficerëve se nuk u ishte bindur pasi me vete kishte një sasi të vogël kanabisi për përdorim vetjak por e kishte hedhur teksa kishte vrapuar. Gjatë kontrollit, 32 vjeçarit nuk iu gjet asgjë e jashtëligjshme në trup.

Sapo është futur në komisariat, gjendja e të riut është përkeqësuar. Për afro 7 minuta, oficerët kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë dhe menjëherë njoftuan ambulancën, por për shkak të vonesës, e çuan vetë në spital.

Ai u transportua në Spitalin e Traumës me një makinë të uniformave blu, por fatkeqësisht aty mbërriti i pa jetë.

Zyrtarisht, edhe mjekët e Traumës deklaruan se i riu mbërriti pa shenja jete dhe trupi u dërgua në morg. Mësohet se tek Trauma, regjistrimi i mbërritjes së trupit të pajetë të Kurtit është bërë në orën 23:40 minuta.

Më herët në komisariat u shoqërua edhe miku i 32 vjeçarit. Zyhdi Spahiu u kap i dehur me mjetin e tij me të cilit u afrua pranë vendit ku u ndalua fillimisht Kurti. Ai u gjobit për këtë shkelje dhe më pas u la i lirë./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!