Vatra e zjarrit në Belishovë të Mallakastres prej thuajse një jave nuk është mundur të vihet nën kontroll. Flakët që nga mesdita e së premtes kanë përfshirë një sipërfaqe të gjerë me shkurre, pisha dhe ullishte duke shkrumbuar dhjetëra hektarë.
Shërbimet zjarrfikëse të ndihmuara edhe nga mjetet e ushtrisë po punojnë në kushte të vështira për shkak të terrenit të thyer kodrinor për të bërë të mundur izolimin e flakëve të cilat të favorizuara nga era janë përhapur në drejtime të ndryshme duke dalë jashtë kontrollit. Ndërkohë vatrat e zjarrit janë ende aktive edhe në kodrat e Gorishovës , por me intensitet të ulët.
Në terren ndodhen 10 mjete zjarrfikëse, 4 të ushtrisë të cilat po punojnë për shuarjen e plotë të flakëve. Sipas statistikave sipërfaqja e djegur dhe e përshkuar në total llogaritet rreth 150 hektarë.
Ndërkohë, situata vijon të jetë e rënduar në fshatin Gorishovë të Cakranit, ku zjarri po përhapet me shpejtësi duke përfshirë dhjetëra hektarë ullishte.
Ekipet zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për izolimin e flakëve, por era dhe thatësira e tokës po e vështirësojnë ndërhyrjen. Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo vatër të re.
Një tjetër vatër zjarri është aktivizuar këtë të premte në një sipërfaqe kodrinore në fshatin Çërraveëtë Pogradecit.
Aktualisht vatra është tepër e gjerë ndërsa po favorizohet edhe nga era. Kodra është kryesisht me bimësi të ulët. Në vendngjarje ndodhet zjarrfikësja, forcat e pyjores dhe policia për të lokalizuar flakët.

