Shqipëria e Futsallit fitoi me përmbysje 3-2 ndeshjen e parë miqësore kundër përfaqësueses së Zvicrës. Në takimin e zhvilluar pasditen e sotme në Parkun Olimpik të Tiranës, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Erind Resuli arritën të marrin një rezultat pozitiv, teksa u zhvillua një lojë mjaft emocionuese dhe e luftuar, por mbi të gjitha treguan forcë karakteri.
Tekniku shqiptar e nisi ndeshjen me këtë 5-she titullare: Christiano Da Silva Cardoso, Mentor Mejzini (C), Ermir Kryeziu, Halim Selamaj, Arif Limani. Kuqezinjtë zhvilluan një pjesë të parë të mirë, duke menaxhuar mirë ndeshjen, edhe pse u ndëshkuan 2 herë në këtë fraksion nga Buckson dhe Lanzendorfer.
Ekipi shqiptar luajti mjaft mirë dhe reagoi në pjesën e dytë, teksa që në minutën e 23-të shënoi me anë të Halim Selmanajt. Ndërkohë, 5 minuta para fundit sërish Selmanaj realizoi golin e barazimit. Në minutën e fundit të ndeshjes, kuqezinjtë arritëm që të përmbysnin shifrat falë një autogoli të Buckson. Një sukses fantastik, që tregon rritjen e Shqipërisë në Futsallë.
Kombëtarja e futsallit do të luajë edhe një tjetër miqësore të premten po ndaj Zvicrës. Miqësorja është programuar të luhet po në Parkun Olimpik në ora 20:00.
Këto dy takime janë shumë të rëndësishme për stafin teknik të Kombëtares së futsallit, që po punon prej kohësh për zbulimin e lojtarëve të rinj për të rinovuar skuadrën para impenjimeve të ardhshme në kompeticione zyrtare. /i.m /abcnews.al