Për herë të parë do të jetë titullar në Ndeshjen e Yjeve. Lajmi i madh ishte i pritshëm, por ndoshta ndikoi që Viktor Uembaniama të bënte një paraqitje të rrallë, në një tjetër fitore të San Antonios në NBA.
Talenti i madh i Francës shënoi 7 kosha me vlerë tripikëshe, edhe pse është 2 metra e 24 centimetra shtatlartë.
Nga distanca, ai pati saktësi mbi 58 për qind, ndërsa Spërsat triumfuan në shtëpi ndaj Juta Xhazit me rezultatin 123-110.
Uembi u mbajt në parket vetëm 26 minuta e 23 sekonda, për të mos u mbingarkuar, dhe sepse ka pasur dëmtim të rëndë sezonin e kaluar.
Gjithsesi, kaq i mjaftoi për të shënuar 33 pikë, për të kapur 10 topa në tabela, e për të pasur një asist, dy vjedhje topi e dy bllokime gjuajtjesh.
Krah tij shumë mirë luajtën edhe Kastëll me 18 pikë, Harpër me 15 dhe Foks me 14 pikë, ndërsa miqve nuk u mjaftuan 30 pikët e Xhorxhit dhe 20 pikët e boshnjakut të fortë, Nurkiç.
Në moshën 22-vjeçare, Uembaniama vazhdon të përmirësohet dhe këtë sezon ka mesataren 24.8 pikë për ndeshje, si dhe 10.8 topa në tabela, edhe pse nuk luan as 29 minuta nga 48 gjithsej në dispozicion.
Me rritjen e yllit francez, është rritur edhe San Antonio, që mban vendin e dytë në Konferencën Perëndimore e lënë pas vetëm nga Oklahoma kampione./abcnews.al


