Në orët e para të ditës së sotme, forcat e sigurisë së Sri Lankës kanë bastisur kampin, ku qëndronin protestuesit e anti-qeverisë në kryeqytet. Qindra trupa ushtarakë dhe komando policie sulmuan kampin duke arrestuar protestuesit dhe duke çmontuar tendat, sipas BBC.
Një gazetar i BBC-së u dhunua nga ushtria dhe një ushtar i mori me forcë telefonin duke i fshirë videot dhe fotot. Nëntë persona, mes të cilëve dy të plagosur janë arrestuar nga policia.
Sulmi ndaj protestuesve vjen një ditë pas ish-kryeministri Ranil Wickremesinghe u betua si president të enjten. Qytetarët filluan protestat në Sri Lanka për shkak të një krize ekonomike dhe shumë fajësojnë ish-qeverinë për keqpërdorimin e financave të vendit.
BBC u përpoq të merrte një përgjigje nga ushtria dhe policia për sulmin, por askush nuk iu përgjigj thirrjeve. Gjendja e jashtëzakonshme, që u shpall javën e kaluar është ende në fuqi.
Ndërkohë grupet civile dhe ligjore kanë kritikuar dhunën ndaj protestuesve.
“Përdorimi i panevojshëm i forcës brutale nuk do ta ndihmojë këtë vend dhe imazhin e tij ndërkombëtar,” tha kreu i Odës së Avokatëve të vendit, Saliya Peiris në një deklaratë.
Protestat në Sri Lanka kanë vazhduar prej muajsh, pasi vendi po përballet me mungesa akute të ushqimet, karburantit dhe furnizimeve të tjera bazë.
/abcnews.al