Vatra zjarri në Voskopojë, Peleshi: Të qëllimshme, më vonë do të merremi me dorën kriminale

schedule20:23 - 8 Gusht, 2021

schedule 20:23 - 8 Gusht, 2021

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka dhënë detaje për situatën nga zjarret në vend. Peleshi ishte në Voskopojë, pranë Shipskës, ku shpërthyen sot vatra zjarri.

Në një prononcim për mediat, ministri u shpreh i bindur se zjarri është i qëllimshëm, pasi pati njëkohësisht pesë vatra që shpërthyen.

“Sapo kam mbërritur në Voskopojë, këtu patëm një shpërthim zjarri. Një vatër që ishte e qëllimshme. Është shumë e rrezikshme si vatër. Ka disa rrethana pozitive sepse në një anë ka një përrua dhe në një anë një sipërfaqe disi më të zhveshur,” u shpreh ai.

Ministri foli më tej edhe për situatën në vend, ku theksoi se janë ende disa vatra të rrezikshme, ku po punohet që të mbahen nën kontroll.

“Kemi pasur situatë të vështirë në Llogara. Mbi Dukat e kemi menaxhuar. Vazhdon beteja. Kemi 60 forca në lartësinë e malit të Karaburunit. Besoj se do jetë një natë e sigurt edhe kjo për parkun e Llogarasë. Jemi të shqetësuar për vatrën në Fier, në Kukës, mbi tunelin e Kalimashit. Ka edhe vatra të vogla pastaj. Kemi mjetet tona por edhe ndihmën e BE.

Në të gjithë jugun nuk kemi pasur cënim të turizmit për shkak të kësaj situate shumë të vështirë. Pothuajse  cdo 2-3 orë kemi një vatër të rrezikshme. Shumica janë të qëllimshme. I bindur jam edhe për këtë këtu. Këtu është freskët. Nuk mund të vijë nga natyra por nga dora e njeriut. Ka pasur arrestime spot. Nuk janë sa për të larë gojën. Strukturat e policisë më kanë thënë se kanë prova. Kam dhënë mesazhe të vazhdueshme edhe për komunitetin për të na ndihmuar për të indentifikuar zjarrvënësit. Kam dhënë edhe informacione lidhur me sa e pamundur është që duke shkretuar një sipërfaqe pylli ta kthesh atë në truall ndërtimi. Nuk ka shans. Këtu kam kryetarin e bashkisë Korçë. Të gjitha bashkitë në vend ka plan funksionimin që tregojnë se cila është sipërfaqe e gjelbër dhe ndërtimi. Dhe në rast se në letër është sipërfaqe e gjelbër ti bëj ç’të duash me territorin nuk mund të ndërtosh dot o keqbërës, o kriminel. Kemi prekur dorën kriminale në të gjithë vendin. Do të merremi shumë fort pas kësaj me këtë,” deklaroi Peleshi. g.v/abcnews.al