Vata kryeministrit Rama: Lëri golat e kombëtares, shiko autogolat e Qeverisë

schedule18:59 - 4 Prill, 2020

schedule 18:59 - 4 Prill, 2020

Ish-kapiteni i Shqipërisë, Rudi Vata, foli për situatën momentale të futbollit në vendin tonë, duke bërë disa batuta pikante për Qeverinë dhe Kryeministrin Rama. Me një lidhje Skype me emisionin Studio Sprint në ABC News, Vata u shpreh: “Unë mendoj se kryesoja është që njerëzit të mendojnë vetëm për të shpëtuar nga kjo situatë, pasi nuk kemi një kurë që të garantojë shërimin e njerëzve. Duke mos pasur një kurë, njerëzit janë këshilluar të qëndrojnë sa më larg njëri-tjetrit. Nëse do të mbijetojmë nga kjo situatë, do të kemi kohë të mjaftueshme që të mendojmë edhe për futboll.

Shqipëria është vendi më i rrezikuar në Europë, pasi situata ekonomike është shumë e vështirë. Madje, mund të quhemi si ekonomi e dështuar. Gjithsesi, pjesa e futbollit interesohem të di më tepër, çfarë do të ndodhë. Në këtë moment, nuk mendoj se ka Kryeministër ose magjistar shqiptar që mundet të gjejë formulën e shpëtimit, sepse vetë jeta në Shqipëri është i tillë, varfëria është e skajshme. Nuk është problem te futbollistët, por te pjesa e madhe e popullsisë, që kanë probleme shumë të mëdha.

 

Kryeministri nuk e ka marrë përsipër ta fusë në planet e tij situatën e futbollit. Nuk mendoj se e ka në dorë Kryeministri të shpëtojë futbollin, por aktorët kryesorë. FSHF, që është shteti i futbollit në Shqipëri. Duhet të jenë ato që të gjejnë mënyrat e domosdoshme, në mënyrë që futbollit të mos zhytet në krizë. Kurrë futbolli në Shqipëri nuk ka pasur një bazë të shëndoshë dhe një ditë do të rrëzohej. Tani duhet të mendojmë për rifillimin ndryshe të futbollit, me një të ardhme të shëndetshme.

Shteti shqiptar ka probleme shumë të mëdha, pas periudhës së tërmetit, tani është periudha e Koronavirusit. Jemi shtet i paorganizuar, nuk jemi të fuqishëm. Kryeministri mori shembull golin në minutën e fundit te kombëtarja, por nuk duhet të merret me ekipin kombëtar. Të merret me golat që Qeveria vetë ka bërë në këto vite në pushtet. Opozita nuk ka qenë kundërshtar i fortë për t’i shënuar gola kësaj Qeverie. Vetë shteti ka bërë autogola gjatë këtyre viteve.

Për mendimin tim, Federata Belge ka bërë një zgjidhje perfekte. Nuk dihet sa do të zgjasë kjo situatë, pasi deri më tani, askush nuk ka formulë shpëtimi. Kësaj beteje, duhet t’i dalim të mbijetuar, jo të fituar. Belgjika ka menduar për jetën dhe jeta është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër”, tha Vata. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!