Varianti i ri i COVID, Kosova dërgon nesër 30 mostra për verifikim në Berlin

schedule17:22 - 17 Janar, 2021

schedule 17:22 - 17 Janar, 2021

Kosova është në listën e shteteve e cila nuk numëron ende asnjë rast të konfirmuar me mutacionet e COVID që janë shfaqur në disa vende të botës. Autoritetet shëndetësore kanë vendosur të dërgojnë 30 mostra në Berlin.

Siç raporton Gazeta Express, 30 mostra të zgjedhura në mënyrë të rastësishme, do të dërgohen të hënën në një laborator në Berlin, për të parë nëse ndonjë variant tjetër i virusit COVID-19 është duke qarkulluar në Kosovë.

Drejtori i Departamentit të Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, Xhevat Jakupi, ka thënë për Express, se kanë mbledhur në mënyrë të rastësishme 40 mostra, 30 prej të cilave do të dërgohen ditën e nesërme në Berlin. Ai ka theksuar se nuk kanë informacione se kur do të marrin përgjigje për këto mostra.

“Mostrat janë zgjedhur në mënyrë të rastësishme. Ne kemi mbledhur 40 mostra, por zakonisht nuk lejojnë që të dërgohen shumë, andaj po shohim mundësinë për dërgimin e 30 mostrave. Ato do të dërgohen në Universitetin “Charite” në Berlin, i cili është një nga laboratorët referent të OBSH-së. Ne nuk kemi informatë për sa kohë do të na kthejnë përgjigje, varet se si ata do ta procesojnë këtë”, ka thënë ai./mv.abcnews.al