As sistemi VAR nuk i ka shuar polemikat për gjykimin. Në Itali madje janë shtuar edhe më shumë, pasi drejtuesit e klubeve, stafet apo edhe lojtarë kërkojnë që disa raste të rishikohen dhe më pas të merret një vendim. Në të ardhmen pritet që VAR të përdoret edhe në Shqipëri dhe ka një kosto relativisht të lartë. Sokol Jareci, shefi i Sektorit të Arbitrave në FSHF, ka qenë i ftuar në emisionin “ABC-ja e mëngjesit”. Së bashku me gazetarin Enkel Demi ai ka biseduar për shumë çështje rreth VAR-it dhe përdorimit të tij edhe në Shqipëri.
“Përdorimi i VAR ka edhe një kosto”, – u shpreh Jareci, i cili shton – “4000 deri në 4500 euro shkon kostoja e transmetimit të një ndeshjeje, në Poloni. Në Shqipëri mendojmë ta fillojmë me një ndeshje, pastaj do t’i shtojmë. Është edhe problemi tjetër, që u heqim të drejtën edhe klubeve që duan sistemin VAR në ndonjë ndeshje të caktuar. Patjetër gjyqtarët i ndihmon. Ka ulur në minimum gabimet, pavarësisht se ka ende kontestime”.
A janë të gatshëm tifozët shqiptarë për sistemin VAR? Jareci shprehet kështu për këtë temë: “Fushata të tilla janë bërë në të gjitha kampionatet ku përdoret VAR. Vazhdon të ketë polemika. Njerëzit presin që të shpëtojnë nga gabimet. Tani njerëzit te ne janë njohur dhe është një e mirë për ne. Normal do ketë një fushatë, pasi duhet të sqarojmë çfarë zgjidh dhe çfarë jo. Kërkohet të ndërhyhet në çdo situatë, por kështu nuk do të kishte më arbitra në fushë. Ndërhyhet kur ka raste evidente, jo në çdo rast penalltie. Nëse janë shumë të dyshimta, VAR nuk e merr mundimin të ndërhyjë. Gjyqtari është i pari që merr vendimin. Ndërhyhet për pozicionet jashtë loje, penalltitë dhe kartonët e kuq”.
Biseda për VAR dhe problematikat vijon. “Ka shumë situata që kërkojnë implementimin e rregullores. VAR ndërhyn kur ka gabime të dukshme. Tani FIFA thotë të shikohet në monitorët e fushës. Në Premier League thuajse nuk i shohin fare pamjet në fushë, u besojnë atyre që i shohin. Pastaj ka situata, si prekja e topit me dorë, që mbetet një nga problemet më të mëdha dhe kërkon interpretimin e arbitrave. Ndaj edhe afrohet arbitri dhe e shikon.
Rregullorja sivjet ka pësuar ndryshime të mëdha. Çdo prekje e topit me dorë nga ana e sulmueseve penalizohet, nuk ka më prekje të pavullnetshme. Për mbrojtësin nuk ka ndryshuar, mbetet i njëjti interpretim. Ka ndryshuar, siç e thatë edhe ju, që nëse topi përplaset në trup dhe dora është në pozicion jo natyral, shumë e hapur, atëherë penalizohesh”, shprehet Jareci.
Italia është një vend ku shpesh ka debate. Napoli-Atalanta dhe Genoa-Juventus sollën reagime të shumta. Për Jarecin, Serie A është disi e veçantë: “Ata që marrin vendimin në VAR do të jenë në fushë pastaj. Italia është vendi i problematikave. Atje janë arbitrat më të mirë, edhe pse është krijuar një hendek prej largimeve të emrave të mëdhenj”. /abcnews.al