Familja e Mahsa Aminit ka fajësuar forcat e sigurisë së Iranit për vandalizimin e varrit të saj. Vdekja e Aminit, teksa ishte në mbikëqyrje të policisë në shtator të vitit 2022 ndezi protesta mbarëkombëtare, që janë kthyer në një nga kërcënimet më të mëdha për udhëheqjen e Republikës Islamike që nga marrja e pushtetit në vitin 1979.
Avokati i familjes Amini, Saleh Nikbakht, u tha gazetarëve se “individë, të njohur për veprime të tilla të neveritshme në të kaluarën, sulmuan dhe shkatërruan varrin e Mahsa Amini”.
Më pas ai tregoi fotografitë e varrit të dëmtuar që i kishte marrë nga prindërit e Aminit.
Ai tha se babai i saj mori vesh se autoritetet kishin penguar vendosjen e një tende mbrojtëse mbi varr duke kërcënuar një saldator se, nëse ai kryente punën, biznesi i tij do të mbyllej.
E ëma e Mahsas, Mojgan Eftekhari, nëna e Aminit, pasi akuzoi zyrtarët qeveritarë se po pengojnë aksesin te varrezat, shkroi një mesazh dukë thënë “ju lutemi të mos shqetësoni njerëzit; të dashurit e tyre janë këtu”.
Ashkan Amini, vëllai i Mahsa Amini, ndau një foto të varrit të motrës së tij në Instagram, duke shkruar se “edhe xhami i gurit tënd të varrit i shqetëson”, duke iu referuar zyrtarëve iranianë të cilët familja dhe mbështetësit i fajësojnë për vdekjen e Aminit.
Vëllai i Aminit tha se kjo ishte hera e dytë që vandalizohet varri i motrës së tij, duke thënë se “çkado që bëjnë, ne do ta rregullojmë. Të shohim kush do të lodhet i pari”.
Vdekja e Mahsa Amini, 22 vjeçares nga qyteti perëndimor iranian Saqez, e cila ishte ndaluar nga Policia e moralit e Iranit, nën akuzat se nuk kishte respektuar rregullat për veshjen e hixhabit apo mbulesës së kokës, ka nxitur protesta në mbarë Iranin.
Grupi i të Drejtave të Njeriut në Iran me bazë në Norvegji thotë se trazirat e shkaktuara nga protestat kanë çuar në vdekjen e të paktën 587 individëve, duke përfshirë dhjetëra fëmijë dhe adoleshentë.
Forcat qeveritare iraniane janë akuzuar se kanë sulmuar, vandalizuar dhe shkatërruar varret e protestuesve të vrarë dhe të ekzekutuar, figurave kulturore, poetëve, shkrimtarëve, artistëve, kritikëve politikë, dhe në disa raste, të krishterëve./REL