“Nëse ne shohim diskursin tonë publik, ne jemi nën nivelin e një demokracie minimaliste”. Kështu u shpreh ish-nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, e ftuar në “Refleksione” në ABC. Duke iu referuar funksionimit të demokracisë në Shqipëri në këto 30 vite, Leskaj tha se gjuha e urrejtjes ka dominuar debatet dhe është identifikuar me politikën, duke sjellë një qasje kundërshtuese dhe jo aprovuese. “Diskursi ynë politik vërtitet rreth paaftësisë që politika dhe shoqëria jonë ka për konsenus, për dialog politik. Nëse je ende në nivelin që diskuton ka apo nuk ka dialog politik, që ke ende dyshime për zgjedhjet, tregon se demokracia ka defiçite të mëdha”, tha Leskaj. Ajo apeloi partitë që të kthejnë sytë nga aftësia për të bërë marrëveshje dhe jo për të parë tjetrin si armik.
Leskaj, e cila ka qenë edhe në rolin e ish-kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, dhe ish-Ministres së Punës dhe Çështjeve Sociale në qeverinë e drejtuar nga Fatos Nano, tha se, i sheh partitë shqiptare ende larg një debati demokratik, qoftë edhe brenda jetës së tyre të përditshme. “Ne, natyrisht që jemi një vend demokratik nëse i referohemi faktit se jemi në pluralizëm, se kemi shumë parti, se bëjmë zgjedhje, se kemi media, e shumë elemente të tjera të një shoqërie demokratike. Por, a mjaftojnë këto për të thënë se jemi në një demokraci funksionale, kur vetë partitë brenda tyre nuk janë të demokratizuara?”, u shpreh Leskaj, duke vënë theksin te nevoja për një qasje tjetër ndaj kundërshtarit dhe mundësisë së marrëveshjeve në favor të qytetarit.
Ndërkaq, edhe si ish-aktiviste e hershme e shoqërisë civile, Leskaj tha në “Refleksione” në ABC , se e shkuara e shoqërisë shqiptare në diktaturë ka lënë shenjat e saj në komunikimin e përditshëm, e sidomos në projektimin e tjetrit vetëm si armik, si një kundërshtar me të cilin nuk mund të ecet bashkë. “Nuk është vetëm politika që lidhet me gjuhën e urrejtjes, me intolerancën ndaj tjetrit. Kjo ka të bëjë jo vetëm me trashëgiminë komuniste, e cila ka qenë e tillë përmes një komunikimi vertikal, që e ka ushqyer, por edhe me trashëgimi të hershme të shoqërisë sonë”, tha Leskaj.
Ajo u shpreh gjithashtu edhe kundër vijimit të pranimeve të më shumë grave në politikë vetëm përmes kuotave. Sipas saj, prania e më shumë grave duhet të vijë si pasojë e meritës dhe jo e përcaktimit me kuota. “Nuk besoj se duhet të jetë kuota që duhet të përcaktojë pjesmarrjen e dikujt në politikë. Unë e shoh kuotën vetëm në favor të grave si një masë të përkohshme, e cila padyshim që ndikon për prurje në politikë, por jam kundër të qenurit masë e përhershme. Pra, në një moment të caktuar, kur shoqëria të arrijë të shohë gratë në politikë jo si prurje kuotash, atëherë besoj se do jetë një hap i rëndësishëm. Kuota në fakt për gratë është kuotë gjinore, pra për të ekuilibruar gjinitë në politikë”, tha Leskaj në “Refleksione”.
Ndërkohë, duke iu referuar edhe librit të saj, Leskaj tha se, demokracia nuk është thjesht teknologji, por në sistem vlerash, ku kultura luan një rol të rëndësishëm. “Natyrisht që shoqëria jonë ka ecur, por analiza e elementeve demokratikë duket e pamjaftueshme për të thënë se kemi arritur në një politikë për shoqërinë. Kemi më shumë politikë të partive e ku qytetarët nuk përfshihen. Pra, që të funksionojë një shoqëri si demokratike ka nevojë shumë për një kulturë demokratike, ka nevojë për një kulturë të gjerë, ndaj e përsëris shpesh atë që thotë Vasllav Havel, se teknologjia e demokracisë nuk mund të funksionojë pa një kulturë demokratike”, tha Leskaj e ftuar në “Refleksione” në ABC. /abcnews.al/