Valë sulmesh në Kolumbi, 7 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur

schedule10:40 - 11 Qershor, 2025

schedule 10:40 - 11 Qershor, 2025

Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në një seri sulmesh të dhunshme në jugperëndim të Kolumbisë, ku në shënjestër ishin qyteti i Calit dhe zona të tjera përreth.

Sipas autoriteteve kolumbiane dhe raportimeve të mediave ndërkombëtare si Reuters dhe AFP, mes viktimave ndodhen edhe dy oficerë policie. Sulmet janë kryer me automjete-bombë, motoçikleta-bombë, të shtëna me armë zjarri dhe, sipas dyshimeve të para, edhe me një dron të pajisur me eksploziv.

Ministria e Mbrojtjes së Kolumbisë konfirmoi se janë regjistruar gjithsej 19 sulme – 12 në rajonin Cauca dhe shtatë të tjera në rajonin Valle del Cauca. Autoritetet e kanë cilësuar këtë valë dhune si një “reagim të dëshpëruar nga grupet e armatosura ilegale ndaj operacioneve intensive të ushtrisë dhe policisë”, të cilat sipas tyre kanë goditur strukturat dhe aktivitetet e paligjshme të këtyre grupeve.

Edhe pse ende nuk ka një konfirmim zyrtar për autorët, media lokale i kanë lidhur disa nga sulmet me një fraksion të Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), grup gueril i çarmatosur zyrtarisht pas marrëveshjes së paqes në vitin 2016.

Objektivat e sulmeve kanë qenë stacionet e policisë, ndërtesat komunale dhe zona me prani civile. Sipas burimeve të ndryshme, numri i të plagosurve varion nga 28 deri në mbi 50 persona.

Kryetari i bashkisë së Calit, qytetit të tretë më të madh në Kolumbi, deklaroi se situata e sigurisë e ka kthyer qytetin “në vitin 1989”, duke iu referuar periudhës së errët të dhunës së karteleve të drogës.

Ngjarjet ndodhin vetëm pak ditë pas një tjetër incident të rëndë, kur kandidati presidencial Miguel Uribe Turbay i shpëtoi një tentative për vrasje gjatë një tubimi në kryeqytetin Bogota. Për këtë ngjarje është arrestuar një 15-vjeçar, i cili, sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, nuk ka pranuar akuzat për tentativë vrasjeje dhe posedim të paligjshëm të armës. Gjykata ka urdhëruar ndalimin e tij.

Autoritetet kolumbiane vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtyre sulmeve që kanë tronditur vendin dhe kanë rritur ndjeshëm shqetësimet për sigurinë në prag të zgjedhjeve presidenciale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!