Nga Yara Hawari, Aljazeera
Më 19 dhjetor, Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu u vaksinua me Pfizer-BioNTech COVID-19 live në TV.
Kjo shënoi fillimin e një fushatë të vaksinimit kombëtar me ritëm të lartë, me më shumë se një milion izraelitë, rreth 12 përqind e popullsisë së vendit, të vaksinuar- niveli më i lartë në botë.
Faktorë të shumtë i hapën rrugën Izraelit që të marrë drejtimin në garën globale të vaksinimit. Të qenit një vend relativisht i vogël – si nga sipërfaqja e tokës ashtu edhe nga popullsia, sigurisht që e ndihmoi.
Në fushatën e shpejtë të vaksinimit gjithashtu kontribuoi edhe një sistem i digjitalizuar i kujdesit shëndetësor i cili ka kërkuar që të gjithë qytetarët të regjistrohen.
Për më tepër, ndryshe nga shtetet e tjera, qeveria izraelite nuk hezitoi të rekrutonte ushtrinë për të ndihmuar në administrimin dhe shpërndarjen e vaksinave.
Ekziston gjithashtu një dimension politik për rihapjen e vendit- Netanyahu po lufton për mbijetesë politike dhe duke fituar në garën e vaksinave mund t’i japë një favor në zgjedhjet e ardhshme të marsit.
Por ka një anë të errët në “historinë e suksesit të vaksinimit” të Izraelit: Ndërsa po imunizon qytetarët e saj kundër COVID-19 me një ritëm të pakonkurrueshëm, qeveria izraelite nuk po bën asgjë për të vaksinuar miliona palestinezë që jetojnë nën okupimin e saj ushtarak.
Në një ironi mizore, qindra doza në prag të skadimit janë hedhur nga klinikat izraelite javën e kaluar, ndërsa miliona palestinezëve u është mohuar e drejta e vaksinimit.
Në të vërtetë, fushata e vaksinimit përfshin qytetarët palestinezë të Izraelit, ajo nuk përfshin rreth pesë milion palestinezë që jetojnë në Bregun Perëndimor dhe Gaza.
Që nga viti 1967, këto dy territore palestineze kanë qenë nën okupimin ushtarak të Izraelit. Midis shumë gjërave, ky regjim i kontrollit absolut ka pasur një efekt të drejtpërdrejtë dhe të dëmshëm jo vetëm në qasjen e palestinezëve në kujdesin shëndetësor, por edhe në Bregun Perëndimor dhe Gaza.
Pas pushtimit të Izraelit sistemi i kujdesit shëndetësor palestinez nuk ka qenë i pajisur mjaftueshëm me mjete të duhura mjekësore. Për vite, palestinezët që jetonin në territoret e okupuara u detyruan të mbështeten në ndihmën që vinte nga vendet e tjera për të përmbushur nevojat e tyre më themelore të kujdesit shëndetësor.
Kështu, kur COVID-19 u përhap, autoritetet palestineze nuk ishin në gjendje të zbatonin strategji efektive për të mbajtur nën kontroll pandeminë ose të siguronin ilaçet dhe vaksinat e nevojshme për të mbrojtur palestinezët.
Autoriteti Palestinez (AP) është ende duke u përpjekur për të siguruar sasi të mjaftueshme të vaksinave për të imunizuar popullsinë palestineze kundër COVID-19.
Dhe për shkak të situatës së saj të rëndë ekonomike, do të duhet ndihmë nga jashtë për nevojat thelbësore. Disa zyrtarë të AP kanë përmendur mundësinë e marrjes së një sasie të caktuar vaksinash nga programi COVAX, skema e udhëhequr nga OBSH për të shpërndarë vaksinat COVID-19 në vendet e varfra.
Por ka të ngjarë që kjo do të zgjasë shumë – vaksinat e destinuara për COVAX nuk kanë marrë akoma miratimin e “përdorimit emergjent” nga OBSH, një parakusht që të fillojë shpërndarja.
Në fillim të dhjetorit, AP gjithashtu pretendoi se arriti një marrëveshje me Rusinë për të marrë rreth katër milion doza të vaksinës së saj Sputnik V në javët e ardhshme. Sidoqoftë, zyrtarët rusë kohët e fundit njoftuan AP-në se ata nuk kanë ende furnizime të mjaftueshme për të përmbushur porositë jashtë vendit.
E gjithë kjo nuk do të kishte rëndësi, nëse Izraeli do të përmbushte detyrimin e tij ligjor, moral dhe humanitar për të vaksinuar palestinezët që jetojnë nën okupimin e tij ushtarak.
Zyrtarët izraelitë po përpiqen të shmangin përgjegjësinë duke pretenduar se AP ende nuk do t’i kërkojë ndihmë Izraelit për vaksinat dhe se të gjitha programet e vaksinimit në Bregun Perëndimor duhet të drejtohen nga AP .
Megjithatë, kjo injoron faktin se neni 56 i Konventës së katërt të Gjenevës parashikon posaçërisht që një vend pushtues ka për detyrë të sigurojë “miratimin dhe zbatimin e masave profilaktike dhe parandaluese të nevojshme për të luftuar përhapjen e sëmundjeve ngjitëse dhe epidemive”.
Me fjalë të tjera, regjimi izraelit ka një detyrim ligjor të sigurojë një sasi të mjaftueshme të vaksinave COVID-19 për palestinezët që jetojnë nën okupimin e tij ushtarak.
Për më tepër, si ligji izraelit ashtu edhe ai ndërkombëtar e ndalojnë Izraelin të lejojë shpërndarjen e vaksinave në Gaza dhe Bregun Perëndimor që nuk e ka aprovuar për popullatën e vet.
Pra, Izraeli nuk është përgjegjës vetëm për vaksinimin e palestinezëve që jetojnë në territoret e okupuara, por ai gjithashtu ka një detyrim ligjor për të siguruar që vaksinat që ata marrin të plotësojnë kriteret e miratimit të sistemit izraelit të kujdesit shëndetësor.
Që nga fillimi i kësaj emergjence të paprecedentë globale të shëndetit publik, Izraeli jo vetëm që refuzoi të respektojë detyrimet e tij ligjore të përcaktuara qartë ndaj popullit palestinez, por gjithashtu krijoi një pamje të rreme në të cilën po punon me AP për të eleminuar virusin.
Në mars të vitit të kaluar, për shembull, kur “lejoi” hyrjen e pajisjeve mjekësore dhe pajisjeve në Gaza, Izraeli mori lavdërime nga vendet e tjera për “bashkëpunimin” me palestinezët në lidhje me trajtimin e COVID-19.
Në fakt, regjimi izraelit, i cili shkatërroi aftësitë e sistemit shëndetësor palestinez përmes okupimit të tij ushtarak me dekada, po vlerësohej për lejimin e transportimit të disa pajisjeve mjekësore nga ndërkombëtarët në Gaza.
Kjo, pavarësisht nga përgjegjësia e saj sipas ligjit ndërkombëtar si një fuqi okupuese për të siguruar furnizimet vetë. Krijimi i përshtypjes se Izraeli po ndihmon palestinezët me mirëbesim për të luftuar virusin duke i mbajtur ata nën okupim, ishte një arritje e jashtëzakonshme e propagandës Izraelite. Por kjo nuk është për t’u habitur duke marrë parasysh që Izraeli kishte fshehur dhunën e regjimit të tij për dekada.
Pa dyshim, sa herë që AP-ja të ketë sukses në sigurimin e vaksinave, kjo arritje do t’i tregohet edhe një herë komunitetit ndërkombëtar si një shenjë e “koordinimit të madh” midis izraelitëve dhe palestinezëve.
Në të vërtetë, për t’i dorëzuar vaksinat palestinezëve që jetojnë në territoret e okupuara, AP do të duhet të koordinohet me regjimin izraelit, i cili mban kontroll të plotë mbi gjithçka që hyn dhe del nga Bregu Perëndimor dhe Gaza.
Prandaj, kur dhe nëse izraelitët do të “lejojnë” që vaksinat t’u dorëzohen palestinezëve, ata do të kërkojnë “bashkëpunim” dhe “koordinim” me palestinezët.
Palestinezët, natyrisht, nuk janë të vetmit që u dëbuan praktikisht nga gara e vaksinave edhe para se të fillonte. Shumica e vendeve janë lënë gjithashtu jashtë garës, me shumicën e dozave të vaksinave që do të jenë në dispozicion në periudhën afatshkurtër duke u dhënë kombeve të pasura që kanë fonde dhe fuqi politike, për t’i blerë ato.
Por pushtimi ushtarak i Izraelit dhe kontrolli i pakrahasueshëm mbi popullsinë palestineze, e bën sfidën me të cilën po përballen autoritetet në Bregun Perëndimor dhe Gaza të frikshme.
Vendet si territoret e okupuara, ku institucionet shëndetësore janë të dobëta dhe është e vështirë të ruash kërkesat themelore të distancës sociale ose higjienës, duhet të kenë përparësi në përpjekjet e vaksinimit.
Kështu që ndërsa bota shikon me frikë programin e shpejtë të vaksinimit të Izraelit, ajo nuk duhet të injorojë – se regjimi izraelit po refuzon të sigurojë vaksinën për miliona njerëz që po qeveris me forcë. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al